Aneta Nasto. Kapitenia e parë e basketbollit vlonjat . Themeli mbi të cilin u ndërtua një ëndërr.

Ndaje

Në një album të vogël familjar mes faqeve të zverdhura nga vitet, ruhen tre fotografi bardhë e zi. Nuk janë shumë por janë të mjaftueshme per te kujtuar nje pjesez te bukur te historise se jetes, si dritare të çmuara që të kthejnë në një kohë ku gjithçka niste me pasion, me guxim dhe me një fanellë që mbante numrin 9. Në qendër të këtyre kujtimeve është basketbollistja Aneta Nasto, kapitenia e parë e ekipit të basketbollit femëror të Flamurtarit. Një vajzë që në një kohë kur sporti për femra mezi frymonte, vendosi të mos kërkonte leje por të hapte rrugë për këtë sport kaq të dashur për të gjithë. Ishte fillimi i viteve ’60 -të dhe Vlorës i mungonin shumë si, palestra të mbuluara, topa të rinj, uniforma dinjitoze por ama nuk i mungonte diçka që vlen më shumë, vajza që besonin. Besonin se dhe ato kishin të drejtë të vraponin, të luftonin, të fitonin dhe në krye të tyre ishte ajo, Aneta, shtatshkurtër, me një shikim të mprehtë, me energji të jashtëzakonshme, ajo që shihte larg, që kuptonte lojën përpara se të ndodhte. Ajo që nuk kishte nevojë të bërtiste, sepse fliste me qetësinë dhe shembullin e saj. U bashkua me grupin e parë të vajzave që u mblodhën nga Elmaz Agalliu, mësuesi me vizion të madh dhe me zemër të ngrohtë. Një njeri që nuk shihte lartësinë trupore por lartësinë e shpirtit. Ai nisi diçka nga e para, me zero infrastrukturë, por me dashuri të pafundme për sportin dhe për rininë. Stërvitjet zhvilloheshin në kushte që sot do na dukeshin të pamundura tek shkallët e Kuzbabasë në fushën Eftiqi Baka, ndërsa ndeshjet tek fusha “Spartak” pranë monumentit të Avni Rustemit. Aty ku balta, vapa dhe shiu nuk ishin arsye për t’u ndalur dhe ku vajzat luanin me gëzim sepse për to basketbolli ishte liri, dashuri, jetë. Për 8 vjet rresht, Aneta mbajti mbi supe fanellën me numrin 9. Një numër që nuk e zgjodhi, por që e përqafoi dhe u bë pjesë e saj, si hije që nuk largohet, si një betim i heshtur se do të ishte aty për ekipin, për qytetin, për pasionin. Ajo nuk ishte vetëm organizatore në fushë, por zemra dhe busulla morale e skuadrës. Ishte ajo që në pushimin mes ndeshjes bashkonte zemrat e shoqeve të saj, ajo që pas çdo gabimi, vendoste dorën mbi supe dhe përqafohej. Tepër e thjeshtë por e pathyeshme. E butë në fjalë por e hekurt në vendime ajo ishte kapitenia që nuk udhëhiqte me frikë por me besim. Ajo ishte një prej “ Fluturat e Flamurtarit” sic quheshin asokohe në dekadën e viteve 60-70, ekipi që e ktheu pasionin në art Ajo skuadër vajzash u quajt më vonë me përkëdheli “Fluturat e Flamurtarit” për mënyrën si lëviznin në fushë, për lehtësinë, për shkathtësinë por mbi të gjitha për shpirtin luftarak që mbartnin në çdo ndeshje. Krah Anetës në këtë ekip fantastik ishin, Hajdhica Babe që kurrë nuk dorëzohej, Burbuqe Muço me finesë dhe vizion, Antigoni Milo krahu i fortë dhe i saktë i ekipit, Lumturi Resuli zëri i urtësisë së ekipit,Dhespina e heshtur por vendimtare dhe më vonë edhe Vali Hyso, duke e bërë skuadrën më të plotë, më të fortë, më të organizuar. Në 1967-n, me ardhjen e trajnerit Patriot Aliaj, skuadra fitoi një frymë të re. Me zërin e ulët por me një mendje të mprehtë dhe një disiplinë të hekurt, ai i ndihmoi vajzat të bëheshin më shumë se lojtare, të bëheshin stratege të lojës. Në vitin 1967, një ftesë që u duk si shpërblim për gjithë sakrificën, Aneta Nasto dhe Antigoni Milo përzgjidhen për grumbullimin e Kombëtares Shqiptare të Basketbollit për femra, për një kampionat ballkanik. Stërvitën me trajnerin kinez Fenku, i cili solli me vete metoda të reja dhe kulturë tjetër loje por Lufta e Lindjes së Mesme solli izolim dhe Kombëtarja nuk udhëtoi. E megjithatë, ajo ftesë nuk u shua si dritë e fikur, ajo mbeti si vulë, si pohim që edhe Vlora kishte vajza të niveli kombëtar. Në vitin 1969, pas 8 vitesh përkushtimi, Aneta vendosi të largohej nga fusha jo sepse nuk kishte më për të dhënë por sepse zgjodhi të ndërtonte një tjetër ekip, familjen e saj. U martua, solli në jetë tre fëmijë të mrekullueshëm dhe i mësoi me shembull, pa shumë fjalë, se çfarë do të thotë të luftosh me dinjitet, të qëndrosh me zemër dhe të udhëheqësh me dashuri. Edhe pse nuk mori dekorata, edhe pse nuk pati kurrë ftesa në emisione, edhe pse nuk e thirren në podiume me medalje , edhe pse nuk shkruajten kurre per te , ajo mbetet fituese në kujtesën tonë, gjurme e skalitur ne historine e sportit vlonjat. Dhe sot, në 29 Shtator, në ditelindjen e saj Ajo nuk vesh më fanellën me numrin 9 por e ka ende të gjallë në ritmin e hapave të saj, në vështrimin e mprehtë drejt ndonjë ndeshjeje basketbolli në ekran, në fjalitë që i thotë vetes sa herë sheh një ndeshje “Duhej të pasonte majtas, jo djathtas…” Sot, mbush 76 vjeçe. Por zemra e saj rreh si atëherë me po aq pasion, me aq ndershmëri , me aq krenari. Kapitenia e pare e basketbollit Aneta Nasto Caushi nuk është vetëm një emër në një listë sportistesh. Ajo është frymë, është trashëgimi e heshtur, është fisnikëri që nuk kërkon dritë, por që ndriçon vetë. Ajo eshte nena ime! U bëfsh 100, kapitenia jonë e përjetshme! Faleminderit që na mësove se në çdo fushë jete, si në basketboll ajo që mbetet është zemra dhe ti, e ke dhënë pa kursim.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit