Alfred Adler dhe arti për të jetuar me vetëdije.

Ndaje

Jeta nuk matet nga ajo që arrijmë, por nga mënyra se si rritemi dhe ndikojmë tek të tjerët.
Kur mendoj për Alfred Adler, më duket sikur shoh një udhëtar të veçantë në botën e psikologjisë, një njeri që e kuptoi thellësisht se çdo njeri ka brenda vetes një etje për përsosmëri, edhe në mes të sfidave më të mëdha. I lindur në një familje të vogël në Austri, Adler përjetoi sëmundje fëmijërie dhe ndjenja inferioriteti që shumë njerëz nuk i kuptojnë lehtë e pikërisht këto përvoja e formësuan dhe e bënë të kuptojë diçka të rëndësishme, mënyra se si ne përballemi me jetën, si i zgjidhim problemet dhe si ndërtojmë marrëdhënie është ajo që na përcakton si njerëz. Në reflektimet e mia, shpesh më duket se jetojmë në një shpejtësi të frikshme. Ditët kalojnë, sfidat vijnë, dhe ne shpesh harrojmë të ndalojmë dhe të pyesim veten. Si po jetoj unë realisht? Si po e përdor energjinë time për të ndërtuar marrëdhënie me kuptim? Si po i jap formë jetës sime përmes zgjedhjeve të përditshme? Adler më kujton se përgjigjet nuk gjenden jashtë, por brenda nesh, tek stili ynë i jetesës, tek mënyra se si e shohim botën dhe i trajtojmë të tjerët. Për Adler-in, marrëdhëniet nuk janë thjesht lidhje rastësore por pasqyrë e shpirtit tonë. Sa më shumë që të ndihmojmë të tjerët të rriten, aq më shumë rritemi edhe ne. Sa më shumë që zgjedhim respektin dhe empatinë në çdo interaksion, aq më shumë formohet karakteri ynë. Dhe ndonjëherë, vetëm kur ndalojmë dhe e shohim veten, kuptojmë se çdo fjali, çdo veprim dhe çdo zgjedhje e vogël ka ndikim më të madh sesa mund ta imagjinojmë. Ky reflektim më bën të mendoj për momentet e mia të përditshme kur jam e nxituar, kur ndiej frikë ose dyshim, kur i marr vendimet pa menduar për pasojat tek të tjerët. Adler më mëson se mund të zgjedh ndryshe, të jem më i vetëdijshëm, të dëgjoj më shumë, të jap më shumë vlerë dhe të ndërtoj marrëdhënie që zgjasin sepse fuqia e jetës nuk matet nga sukseset apo arritjet e jashtme, por nga thellësia e rritjes sonë dhe ndikimi që lëmë tek të tjerët. Çdo hap, çdo reflektim dhe çdo zgjedhje e ndërgjegjshme është një pjesë e udhëtimit drejt një jete më të plotë, ku stilimi i jetës, zgjidhja e problemeve dhe marrëdhëniet që ndërtojmë bëhen art.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit