E kam takuar Genci Deromemaj në një nga ato forume qytetare ku fjala lëviz mes bindjes, mendimit dhe respektit. Në një kohë zgjedhjesh, kur emocionet ndahen me ngjyra, Genci foli si qytetar. Pa tërbim, pa sharje, pa egërsi. Me ton të qetë dhe respekt për mendimin ndryshe. Nuk jemi miq. Nuk kemi ndarë kafe. Por nuk më duhet më shumë për të thënë sot me zë të lartë, Aleluja! Jo për ndonjë entuziazëm politik. Jo për ndonjë urim formal. Por sepse për herë të parë ndjej që një mur po çahet, muri i përjashtimit , vetëm pse dikush ka një bindje ndryshe. Në Vlorën time të dashur, që aq shumë e dua dhe njësoj më dhëmb, kemi parë shumë ndarje. Kemi jetuar me klanizma, me “ne dhe ata”, me dasi që vijnë nga krahinat, nga emrat e familjeve, nga historia që nuk na lanë ta ndajmë bashkë. Dhe në këtë qytet të bukur, njerëzit e djathtë siç quhen zakonisht shpesh janë mbajtur larg, ndonëse kanë qenë profesionistë, të ndershëm, të aftë. Emërimi i Gencit në krye të Kadastres nuk është një vendim teknik. Është një sinjal që duhet përshëndetur. Bindja politike nuk është më pengesë. Kontributi dhe qytetaria nuk janë më privilegje të partisë. Unë nuk e di si do të jetë drejtimi i tij. Nuk kam garanci. Por kam të drejtën të ndjej që diçka po ndryshon. Dhe ne, qytetarët e zakonshëm, e ndjejmë këtë ndryshim që në frymëmarrje. Sepse kemi nevojë për njerëz që nuk sundojnë, por shërbejnë. Që nuk hakmerren, por përfshijnë. Që nuk mbajnë inat për ngjyrën e votës, por kërkojnë bashkëpunim për ngjyrën e së ardhmes. Ky vendim i heshtur është një akt emancipimi. Një çarje në murin e trashë të përjashtimit. Një thirrje që na thotë, mjaft më me vija ndarëse. Mjaft me përjashtime për shkak të mbiemrit apo kutisë ku hedhim votën. Nëse Shqipëria do të ndërtohet ndonjëherë mbi vlera të përbashkëta, jo mbi ndarje politike ky është një hap domethënës. Nëse Vlora do të çlirohet nga spiralet e së shkuarës, ky është një hap i parë. Dhe për këtë çast të vogël emancipimi le ta themi të gjithë bashkë, pa asnjë ironi, pa asnjë sarkazëm, por me shpresë të sinqertë, Aleluja!
