Aksesori me stil dhe pushtet

Ndaje

Ka një paradoks të bukur në historinë e modës që gjërat më të vogla shpesh kanë mbajtur peshën më të madhe. Dorashkat, të heshtura, të lehta dhe të përmbajtura kanë qenë ndër ato pak aksesorë që nuk zbukuronin thjesht trupin, por ndërtonin një autoritet të padukshëm. Ato nuk të bënin vetëm elegante por të jepnin një distancë, një kontroll, një lloj pushteti që nuk kishte nevojë të shpallej.
Në oborret e Evropës Mesjetare, dorashkat nuk ishin detaj por simbol. Një mbret që ngrinte dorën e mbuluar me dorashkë nuk jepte vetëm një urdhër por manifestonte pushtetin e tij. Në të njëjtën kohë, një zonjë që mbante dorashka nuk tregonte vetëm finesë por përkatësi. Duart e mbuluara ishin një vijë e hollë mes botës dhe vetes, një mënyrë për të thënë: “Unë zgjedh si dhe kur të prek realitetin.” Me kalimin e kohës, sidomos në Epokën Viktoriane, kjo filozofi u rafinua në një kod të tërë sjelljeje. Dorashkat u kthyen në një disiplinë estetike. Një grua nuk ishte thjesht e veshur mirë nëse kishte një fustan të bukur,eleganca e saj mathej në detaje,në pastërtinë e dorashkave, në mënyrën si i mbante, në momentin kur i hiqte. Sepse klasi nuk ishte zhurmë por kontroll. Ngjyrat e tyre ishin si nuanca të karakterit. E bardha mbetej triumfi i përjetshëm i elegancës,një deklaratë e pastërtisë dhe e një jete të mbrojtur nga ashpërsia e përditshmërisë. E zeza sillte gravitet dhe mister, një hijeshi më të errët, më të thellë ndërsa tonet e buta pastel, flisnin për delikatesë dhe një feminitet të kultivuar, të qetë, pa nevojë për theksime të forta. Por ishte gjatësia ajo që shpesh tregonte më shumë sesa vetë materiali. Dorashkat e shkurtra ishin praktike, të përditshme,një elegancë e lehtë, e natyrshme ndërsa ato të gjata, që ngjiteshin mbi bërryl, ishin një ritual më vete. Ato kërkonin një qëndrim, një lëvizje të menduar, një prani që nuk ishte e zakonshme. Në një sallon, në një opera, në një mbrëmje të ndriçuar me dritë të butë, një palë dorashka të gjata nuk ishin thjesht pjesë e veshjes por një deklaratë e qetë superioriti.Dhe ndoshta këtu qëndron sekreti i tyre më i madh sepse dorashkat krijonin një distancë elegante. Ato vendosnin një shtresë të hollë mes lëkurës dhe botës, mes ndjesisë dhe veprimit. Nuk ishte ftohtësi,ishte përzgjedhje. Nuk ishte ndarje por kontroll. Sepse pushteti i vërtetë nuk është ai që shfaqet me forcë, por ai që ndihet në mënyrën si dikush mban veten.Edhe në shekullin modern, kur rregullat u zbutën dhe format u çliruan, dorashkat nuk u zhdukën. Ato thjesht ndryshuan kuptim. Figura si Audrey Hepburn i rikthyen si një simbol të pastër elegance,një kujtesë se stili nuk është sasia e detajeve, por zgjedhja e duhur e njërit.
Sot, kur gjithçka duket më e drejtpërdrejtë, më e shpejtë, më pak e filtruar, dorashkat mbeten një relike e një bote që dinte të vononte gjestin, të rafinonte lëvizjen, të mendonte edhe për mënyrën si prek. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, ato vazhdojnë të na duken kaq të veçanta sepse nuk ishte dorashka që jepte pushtet por mënyra si ajo e mbante njeriun larg ngutjes dhe më pranë vetes.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit