Nuk e di nëse po vjen lufta, por diçka në Ballkan ka filluar të marrë përsëri erë të keqe. Dhe ndoshta më e frikshmja nuk janë armët, tanket apo uniformat që shfaqen herë pas here në lajme por gjuha që po rikthehet, nacionalizmi që ushqehet me plagët e vjetra, historia që përdoret përsëri si armë politike dhe një brez politikanësh që duket se e kanë kuptuar shumë mirë se frika e njerëzve mund të jetë një mjet i fuqishëm për të mbajtur pushtetin. Ballkani është ai vend i çuditshëm ku historia nuk pranon të bëhet histori. Këtu ende flitet me hartat e së shkuarës, ende kërkohen armiq për t’u treguar turmave, ende ringjallen plagë sa herë që politika ka nevojë për një tjetër arsye për të mobilizuar emocionet. Dhe ndërsa njerëzit duan punë, siguri, paga, shkolla dhe një jetë normale, në ekranet tona vazhdojnë të shfaqen deklarata të forta, kërcënime të maskuara si patriotizëm dhe një garë e rrezikshme për të treguar se kush është më i fortë. Kosova dhe Serbia mbeten pika të ndjeshme, Bosnja vazhdon të mbajë brenda vetes tensione të vjetra, ndërsa prania e KFOR-it dhe EUFOR-it tregon se ndërkombëtarët ende e konsiderojnë sigurinë e rajonit një çështje që kërkon vëmendje serioze. Por le të mos gënjejmë veten, luftërat nuk lindin vetëm nga një plumb. Ato fillojnë shumë më herët. Fillojnë kur gjuha e urrejtjes bëhet normale. Kur armët shiten si garanci krenarie. Kur fqinjët shndërrohen në armiq. Kur historia manipulohet për t’u mësuar fëmijëve se duhet të kenë frikë nga dikush tjetër. Kur politikanët zbulojnë se një shoqëri e frikësuar është më e lehtë për t’u drejtuar sesa një shoqëri që kërkon llogari. Dhe këtu duhet të jemi kritikë, sepse Ballkani ka paguar një çmim shumë të lartë për patriotizmin e keqpërdorur. Nuk është patriotizëm të ndezësh urrejtjen ndaj fqinjit. Nuk është patriotizëm të ringjallësh konfliktet e varrosura për të fituar disa pikë politike. Nuk është patriotizëm t’u lësh brezave të rinj trashëgimi frikën, hakmarrjen dhe dyshimin. Patriotizëm është të ndërtosh një vend ku një fëmijë nuk ka nevojë të mësojë se kë duhet të urrejë, por se si duhet të jetojë. Sot nuk ka bazë të mjaftueshme për të thënë se një luftë e re ballkanike është duke filluar. Përkundrazi, NATO raporton se situata në Kosovë është përmirësuar dhe se po bëhet gradualisht një përshtatje e pranisë së KFOR-it, duke ruajtur gatishmërinë për ndryshime në terren. Por pikërisht sepse e kemi parë një herë se sa shpejt mund të shembet normaliteti, nuk duhet të presim të dëgjojmë krismën e parë për të kuptuar se diçka nuk shkon. Ballkani nuk ka nevojë për heronj të rinj të luftës por për politikanë që dinë të ndalin një konflikt para se të fillojë, për shoqëri që nuk ushqehen me urrejtje dhe për një brez që nuk pranon t’i trashëgojë armiqësitë e gjyshërve. Sepse lufta nuk fillon atë ditë kur dëgjohet shpërthimi por kur njerëzit mësohen me idenë se shpërthimi është i pashmangshëm. Dhe pikërisht aty duhet të fillojë rezistenca jonë, të mos e normalizojmë më luftën si gjuhë politike.
Foto: Wikipedia.
