Po sikur bota që shohim çdo ditë të mos jetë e gjithë e vërteta, por vetëm hija e saj në murin e një shpelle?
Sot, teksa shpjegoja para nxënësve mitin e shpellës së Platonit, ndjeva se po flisja për diçka shumë më pranë nesh sesa një rrëfim filozofik i shkruar rreth 2400 vjet më parë. Sa më shumë shpjegoja, aq më shumë më dukej se ajo shpellë, nuk i përkiste vetëm filozofit të lashtë grek, por shoqërisë sonë, kohës sonë dhe mënyrës se si ne e shohim, e kuptojmë dhe, ndonjëherë, e keqkuptojmë realitetin. Platoni na tregon për njerëz të lidhur brenda një shpelle, të cilët, që nga lindja, shohin vetëm hijet e objekteve të projektuara në mur. Për ta, ato hije janë bota, janë e vërteta, janë gjithçka që ekziston. Ata nuk kanë njohur një realitet tjetër dhe, për këtë arsye, as nuk e imagjinojnë se ajo që shohin mund të jetë vetëm një pjesë e së vërtetës. Dhe pikërisht këtu fillon shqetësimi im. Sa herë ndodh që edhe ne të gjykojmë njerëz, ngjarje dhe situata vetëm nga ajo që na shfaqet përpara syve? Sa herë e pranojmë një informacion pa e verifikuar, përsërisim një mendim pa e analizuar dhe mbrojmë një të vërtetë që, në të vërtetë, nuk e kemi kërkuar kurrë vetë? Sa lehtë mund të bëhemi pjesë e një realiteti të ndërtuar nga të tjerët, duke besuar se kemi mendimin tonë, ndërkohë që ndoshta thjesht kemi përvetësuar mendimin që na është servirur më shpesh? Hijet sot kanë marrë forma të tjera. Ato shfaqen në ekranet e telefonave, në titujt e lajmeve, në debatet publike, në rrjetet sociale, në fjalët e njerëzve që pretendojnë se zotërojnë të vërtetën dhe në informacionet që përsëriten aq shumë, saqë fillojmë t’i konsiderojmë të pakundërshtueshme. Ndonjëherë, nuk ka rëndësi sa e vërtetë është një gjë, por sa herë është thënë, sa njerëz e kanë besuar dhe sa fort është mbrojtur prej tyre. Por pjesa më e vështirë e mitit nuk është vetëm ekzistenca e hijeve por momenti kur njëri prej të burgosurve shkëputet nga prangat, kthehet drejt dritës dhe fillon të kuptojë se bota që njihte deri atëherë nuk ishte e gjithë bota. Drita e verbon, e trondit, e detyron të mësojë përsëri dhe t’i vërë në dyshim bindjet e tij. Të dalësh nga shpella nuk është e lehtë, sepse e vërteta jo gjithmonë na qetëson,ndonjëherë ajo na dhemb, na zhgënjen dhe na detyron të pranojmë se kemi gabuar. E çfarë ndodh kur ky njeri kthehet në shpellë për t’u treguar të tjerëve atë që ka parë? Në vend që ta dëgjojnë, ata mund ta kundërshtojnë, ta përqeshin dhe ta konsiderojnë të çmendur. Për ta, ai është bërë i huaj, sepse po vë në dyshim të vetmen botë që ata njohin. A nuk është kjo një nga dramat e shoqërive tona? Njeriu që bën pyetje të pakëndshme, që kërkon prova, që nuk pranon të përsërisë fjalët e të tjerëve dhe që guxon të kundërshtojë një mendim të përhapur, shpesh përballet me mosbesim, paragjykim ose përjashtim. Ndonjëherë është më e lehtë të sulmosh atë që të shqetëson sesa të përballesh me arsyet që ai paraqet. Por nuk dua ta kthej këtë shkrim në një gjykim për të tjerët, sepse miti i Platonit na fton të bëjmë diçka më të vështirë: të shohim edhe brenda vetes. Të pyesim veten nëse kemi guxuar ndonjëherë të dalim nga shpella jonë, nëse kemi vënë në dyshim bindjet që na janë trashëguar dhe nëse kemi pasur ndershmërinë të pranojmë se ajo që mendonim dje mund të mos jetë e vërtetë sot. Sepse askush nuk është plotësisht i imunizuar ndaj manipulimit, paragjykimit apo iluzionit. Dallimi nuk qëndron te pretendimi se ne e dimë të vërtetën, ndërsa të tjerët jetojnë në errësirë. Dallimi qëndron te gatishmëria për të kërkuar, për të verifikuar, për të dëgjuar dhe për të ndryshuar mendim kur faktet na tregojnë se kemi gabuar. Ndoshta ky është edhe një nga mësimet më të rëndësishme që mund t’u përcjellim të rinjve.Mos pranoni gjithçka që shihni, mos besoni gjithçka që dëgjoni dhe mos e ngatërroni shumicën me të vërtetën. Mësoni të mendoni, të pyesni dhe të kërkoni arsyet pas çdo pohimi. Sepse edukimi nuk është thjesht të mbushësh mendjen me dije, por t’i japësh njeriut mjetet për të dalluar, për të gjykuar dhe për të mos u bërë rob i mendimeve të të tjerëve. Sot, ndërsa flisja për Platonin, kuptova edhe një herë se filozofia nuk është një grumbull teorish të vjetra që u përkasin librave dhe klasave të shkollës por një mënyrë për të lexuar jetën, për të kuptuar shoqërinë dhe për të mos u pajtuar me përgjigjet e gatshme. Ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është nëse jetojmë ende në shpellën e Platonit, por nëse kemi guximin të dyshojmë për hijet që shohim çdo ditë. Sepse një shoqëri nuk mbetet në errësirë vetëm kur i mungon drita por kur e ka mundësinë ta kërkojë të vërtetën, por zgjedh të mos e bëjë. Dhe ndoshta, tragjedia më e madhe e njeriut nuk është të jetojë mes hijeve pa e ditur se ekziston drita, por të mësohet aq shumë me hijet, sa të mos dëshirojë më të dalë prej tyre.
