Revolta ndaj varfërisë

Ndaje

Deri kur mund të durojë njeriu të jetojë me dinjitet të cunguar, të punojë pa arritur të përballojë nevojat e familjes dhe të shohë se çdo ditë lufton për të mbijetuar, ndërsa shpresa për një jetë më të mirë largohet gjithnjë e më shumë? Varfëria nuk është vetëm mungesë parash por ankthi që të shoqëron kur hap frigoriferin, është llogaria që bën çdo mbrëmje për të vendosur se cilën nevojë do të shtysh për nesër, është prindi që përpiqet t’i buzëqeshë fëmijës, ndërsa brenda vetes vuan sepse nuk mund t’i ofrojë atë që meriton. Është pensionisti që numëron monedhat deri në fund të muajit, punëtori që lodhet gjithë ditën dhe përsëri nuk ia del, i riu që sheh largimin si të vetmen rrugë drejt një të ardhmeje më të sigurt. Dhe përballë kësaj përditshmërie, lind revolta. Jo domosdoshmërisht revolta e grushtit apo e gurit, por ajo që buron nga padrejtësia, nga pamundësia për të jetuar me dinjitet dhe nga ndjesia se përpjekja e ndershme nuk mjafton më për të ndërtuar një jetë normale. Nuk mund t’i kërkosh njeriut të jetë i qetë përballë pasigurisë së vazhdueshme, të heshtë përballë padrejtësisë dhe të falënderojë për atë që mezi i mjafton për të mbijetuar. Një shoqëri nuk mund të matet vetëm me ndërtesat që ngre, me shifrat që publikon apo me sukseset që reklamon, por edhe me mundësinë që i jep qytetarit të jetojë me dinjitet, të ushqehet, të kurohet, të arsimojë fëmijët dhe të mos e shohë emigrimin si të vetmen rrugëdalje. Varfëria nuk duhet romantizuar, as durimi i të varfrit të shndërrohet në virtyt që të tjerët e kërkojnë prej tij. Njeriu nuk ka lindur për të kaluar jetën duke mbijetuar, ndërsa ëndrrat e tij zvogëlohen në përmasat e një page, të një pensioni apo të një fature të papaguar. Prandaj, revolta ndaj varfërisë duhet të jetë një kërkesë e fortë për drejtësi sociale, për paga dhe pensione dinjitoze, për mundësi të barabarta dhe për institucione që e vendosin mirëqenien e qytetarit në qendër të përgjegjësisë së tyre. Mjaft më me një shoqëri ku të jesh i ndershëm nuk të garanton dot një jetë të sigurt, ku puna nuk mjafton për të jetuar dhe ku shpresa për të ardhmen blihet me një biletë largimi! Sepse varfëria nuk e varfëron njeriun vetëm materialisht por kur zgjatet dhe shndërrohet në një gjendje pa rrugëdalje, ajo rrezikon t’i marrë edhe besimin se gjërat mund të ndryshojnë. Dhe kur një qytetar humbet besimin se puna, ndershmëria dhe përpjekja e tij do t’i sigurojnë një jetë më të mirë, revolta nuk është më thjesht pakënaqësi. Ajo bëhet një thirrje që shoqëria dhe institucionet nuk kanë të drejtë ta shpërfillin. Sepse njeriu nuk kërkon luks kur kërkon të jetojë me dinjitet. Kërkon atë që duhet të jetë e drejtë themelore e çdo shoqërie njerëzore.Mundësinë për të jetuar dhe jo thjesht për të mbijetuar.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit