Kur ligji vishet me rroba civile

Ndaje

Kush i mbron qytetarët nga ata që duhet t’i mbrojnë, kur këta të fundit e kthejnë autoritetin në dhunë dhe detyrën në një mundësi për të goditur? Ka diçka thellësisht shqetësuese kur një qytetar përballet me dhunën e atyre që paguhen për të garantuar sigurinë e tij. Dhe kur kjo ndodh nga oficerë me rroba civile, pa shenja dalluese, lind një pyetje edhe më e rëndë se, a mund të fshihet përgjegjësia pas mungesës së uniformës? Uniforma nuk është burimi i autoritetit moral dhe mungesa e saj nuk është licencë për të ushtruar dhunë. Askush nuk është mbi ligjin, aq më pak ata që janë ngarkuar ta zbatojnë atë. Sepse pushteti i dhënë nga shteti nuk është pronë personale, nuk është privilegj për të frikësuar dhe as leje për të poshtëruar këdo që mendon ndryshe. Një qytetar mund të kundërshtojë, të protestojë, të ngrejë zërin dhe të shprehë zemërimin e tij. Nëse shkel ligjin, përgjigjet për veprimet e veta sipas procedurave ligjore. Por edhe oficeri që shkel ligjin duhet të japë llogari. Ligji nuk mund të jetë i rreptë për qytetarin dhe i butë për atë që mban pushtetin. Nuk ka rëndësi nëse dhuna ushtrohet nga një dorë me uniformë apo me rroba civile sepse, rëndësi ka kush e ushtron, në ç’rrethana dhe nëse veprimi është i ligjshëm. Goditja nuk bëhet e drejtë vetëm sepse vjen nga një punonjës shteti, ashtu si abuzimi nuk bëhet i pranueshëm vetëm sepse justifikohet në emër të rendit. Dhe le të mos ngatërrojmë autoritetin me frikën. Autoriteti ndërtohet mbi ligjin, profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen, ndërsa frika është mjeti i atyre që besojnë se mund ta imponojnë bindjen duke shmangur përgjegjësinë. Një shtet demokratik, nuk ka nevojë për njerëz që të godasin në emër të tij, por për profesionistë që dinë të veprojnë brenda kufijve të ligjit. Kur një punonjës policie tejkalon kompetencat e tij, nuk mjafton të heshtet ngjarja apo të justifikohet veprimi por duhen fakte, hetim i paanshëm dhe përgjegjësi, pavarësisht se kush është personi i përfshirë. Sepse ligji nuk është shkop në duart e pushtetit për të nënshtruar qytetari por kufiri që e ndalon pushtetin të kthehet në arbitraritet. Dhe nëse ata që duhet të na mbrojnë nga dhuna bëhen vetë burim i saj, atëherë pyetja nuk është më vetëm kush e goditi qytetarin, por kush do të garantojë që askush të mos jetë aq i fuqishëm sa të mos japë llogari. Pa përgjegjësi, autoriteti kthehet në abuzim,pa drejtësi, ligji humbet besimin e qytetarëve dhe pa dinjitet njerëzor, asnjë uniformë, asnjë detyrë dhe asnjë pushtet nuk mund ta justifikojë dhunën.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit