Shkopi i gomës

Ndaje

Çfarë ndodh me një shoqëri kur, përballë fjalës ngrihet shkopi i gomës, kur argumenti zëvendësohet nga forca dhe kur dhuna fillon të paraqitet si një përgjigje e pranueshme ndaj kundërshtimit? Shkopi i gomës nuk është thjesht një mjet në duart e atij që vesh uniformën, por mund të kthehet në simbolin e një pushteti që, në pamundësi për të dëgjuar, bindur përmes argumentit dhe menaxhuar konfliktin me maturi, zgjedh të imponojë autoritetin përmes frikës dhe forcës fizike. Uniforma i jep mbajtësit të saj përgjegjësi të veçanta, por jo të drejtën për të poshtëruar apo dhunuar këdo që ndodhet përballë tij. Përkundrazi, sa më e madhe të jetë fuqia që i besohet një individi, aq më e lartë duhet të jetë përgjegjësia për ta ushtruar atë me vetëpërmbajtje, profesionalizëm dhe respekt për dinjitetin njerëzor. Shteti i së drejtës nuk matet me fuqinë e shkopit, por me aftësinë për të garantuar rendin pa cenuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Policia ka detyrimin të ruajë sigurinë publike, por kjo nuk do të thotë se çdo protestues duhet trajtuar si armik apo se çdo zë kundërshtues mund të heshtet përmes forcës. Protesta është një e drejtë themelore dhe pakënaqësia qytetare por pjesë e demokracisë, ndaj edhe në situata tensioni, veprimet e çdo pale duhen vlerësuar mbi bazën e fakteve, ligjit dhe përgjegjësive konkrete, pa justifikime të nxituara dhe pa standarde të dyfishta. Ajo që duhet të na shqetësojë veçanërisht,, është çasti kur dhuna fillon të normalizohet, kur pamja e një njeriu të plagosur nuk na trondit më dhe kur, përpara se të kërkojmë llogari për atë që kemi parë, nxitojmë të gjejmë arsye për ta justifikuar. Rreziku nuk qëndron vetëm te dora që ngre shkopin, por edhe te mendësia që e pranon atë si një mënyrë të zakonshme për të zgjidhur konfliktet, duke harruar se tolerimi i dhunës dobëson jo vetëm dinjitetin e individit, por edhe besimin e shoqërisë te drejtësia dhe institucionet. Shkopi mund të shpërndajë një turmë, të ndërpresë një protestë apo të imponojë heshtjen për disa çaste, por nuk mund të shuajë pakënaqësinë, të zgjidhë padrejtësinë dhe as të fitojë respektin e qytetarëve, sepse frika mund të prodhojë bindje të përkohshme, por kurrë besim të vërtetë. Autoriteti i vërtetë nuk dëshmohet nga forca me të cilën godet, por nga maturia me të cilën e ushtron pushtetin dhe nga aftësia për të respektuar kufijtë që i vendos ligji.Kur përballë një argumenti ngrihet shkopi i gomës, nuk vihet në pikëpyetje vetëm sjellja e atij që e mban në dorë, por edhe niveli i qytetarisë së një shoqërie që duhet të vendosë nëse do ta konsiderojë dhunën një zgjidhje apo një problem që kërkon përgjegjësi. Dhe pyetja që mbetet është se sa i fortë mund të jetë një shkop dhe sa i dobët duhet të jetë argumenti që ai të kthehet në përgjigjen e parë?

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit