Përpara se të ekzistonin farmacitë me vitrina të ndriçuara, kuti ilaçesh dhe receta elektronike, përpara se fjala “farmacist” të merrte kuptimin profesional që njohim sot, njeriu kishte filluar të kërkonte në natyrë atë që mund t’i lehtësonte dhimbjen dhe t’i sillte shërim.
Askush nuk mund të quhet me siguri farmacisti i parë në botë, sepse farmacia nuk lindi në një ditë dhe nuk u krijua nga një njeri i vetëm. Ajo u formua ngadalë, nga përvoja e brezave, nga njerëzit që mblidhnin bimë, përgatitnin përzierje, njihnin vetitë e rrënjëve, gjetheve, vajrave dhe mineraleve dhe ua përcillnin të tjerëve dijen e fituar ndër vite. Gjurmët më të hershme të kësaj historie na çojnë në Mesopotaminë e lashtë, ku pllaka prej argjile me shkrim kuneiform përmbajnë receta dhe përshkrime të përgatitjes së substancave mjekësore. Edhe Egjipti i lashtë la një trashëgimi të jashtëzakonshme në njohjen dhe përdorimin e substancave medicinale. Më pas, në botën greko-romake, kjo dije u sistemua më tej, ndërsa Dioskoridi, me veprën e tij “De materia medica, ndikoi për shekuj në njohjen e bimëve dhe substancave me përdorim terapeutik. Farmacia filloi të marrë identitet më të qartë profesional shumë më vonë, veçanërisht në botën islame gjatë shekujve VII–IX, kur përgatitja dhe tregtimi i barnave u zhvilluan si veprimtari e specializuar. Në Europë, gjatë shekullit XIII, u forcua ndarja profesionale ndërmjet mjekut dhe farmacistit.Kështu, historia e farmacistit nuk është historia e një njeriu të vetëm, por historia e një dije të ndërtuar brez pas brezi nga bima te molekula, nga pllaka e baltës te laboratori, nga përvoja te shkenca, farmacia ka përshkuar mijëra vite për të mbërritur te profesioni që njohim sot.Dhe pas gjithë kësaj historie qëndron një njeri, farmacisti, profesionisti që ndërthur dijen shkencore me përgjegjësinë ndaj shëndetit dhe, shumë herë, është ndër njerëzit e parë të cilëve u drejtohemi kur kemi një shqetësim. Një urim i përzemërt për të gjithë farmacistët që çdo ditë, me dije, përkushtim dhe përgjegjësi, kontribuojnë në kujdesin për shëndetin e njerëzve. Sepse pas çdo medikamenti të dhënë me përgjegjësi, pas çdo këshille të kujdesshme dhe pas çdo dere farmacie ku dikush kërkon ndihmë, është një profesionist që mban në duar jo vetëm një produkt, por edhe besimin e njeriut përballë tij.
Ndaje
