Në një marrëveshje mes shteteve, në një tryezë ku njerëzit ulen për të negociuar, në heshtjen që vjen pas një konflikti, apo shumë më pranë nesh, në mënyrën se si zgjedhim t’i flasim njëri-tjetrit, ta dëgjojmë një mendim ndryshe dhe të sillemi me tjetrin edhe atëherë kur nuk ndajmë të njëjtat bindje?
Ndoshta paqja fillon pikërisht aty ku nuk mendojmë ta kërkojmë, në një fjalë që zgjedhim të mos e përdorim për të lënduar, në një debat ku kundërshtojmë një ide pa cenuar njeriun që e mbron atë, në aftësinë për të pranuar se bota nuk mund të shihet gjithmonë vetëm nga këndi ynë dhe se ndryshimi, në vend që të na ndajë, mund të bëhet një mundësi për të kuptuar më shumë. Paqja nuk është thjesht mungesa e luftës dhe as vetëm një marrëveshje e nënshkruar në tryezat e diplomacisë. Ajo është një kulturë e të menduarit dhe e të bashkëjetuarit, e cila ndërtohet ngadalë, përmes edukimit, dialogut, respektit dhe mënyrës se si njerëzit mësojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet pa e kthyer ndryshimin në armiqësi.Dhe nëse ka një vend ku kjo kulturë mund të mësohet, të provohet dhe të marrë formë të përditshme, ai është universiteti.Universiteti nuk është vetëm një hapësirë ku transmetohen njohuri dhe përgatiten profesionistët e së ardhmes por edhe një komunitet ku takohen njerëz me prejardhje, përvoja, ide dhe këndvështrime të ndryshme, dhe pikërisht kjo e bën atë një nga hapësirat më të rëndësishme ku mësohet bashkëjetesa, dialogu dhe respekti për tjetrin. Në auditor, studenti nuk mëson vetëm një profesion, por mëson edhe si të argumentojë një ide, si të dëgjojë një mendim që nuk përputhet me të tijin, si të kundërshtojë pa fyer dhe si të mbrojë atë që beson pa e mohuar të drejtën e tjetrit për të menduar ndryshe. Këto janë aftësi që mund të duken të vogla në jetën e përditshme, por janë ndër themelet mbi të cilat ndërtohet një shoqëri më e aftë për të bashkëjetuar. Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, si një institucion akademik i lidhur ngushtë me qytetin dhe komunitetin, e ka arsimin edhe si një përgjegjësi shoqërore që shkon përtej auditorit dhe programeve të studimit. Dija nuk është vetëm një mjet për të fituar një profesion dhe për të ndërtuar një karrierë; ajo është edhe një mënyrë për ta kuptuar më mirë botën, për të sfiduar paragjykimet, për të dalluar faktin nga paragjykimi dhe për të krijuar marrëdhënie të mbështetura te dialogu dhe respekti. Në një komunitet universitar, paqja shfaqet në mënyra të ndryshme,në krijimin e një mjedisi ku secili ndihet i respektuar, në hapësirat ku studentët mund të shprehin idetë e tyre, në bashkëpunimin ndërmjet fakulteteve dhe disiplinave, në dialogun ndërmjet brezave dhe në mundësinë që mendimi akademik të zhvillohet përmes debatit, jo përmes përjashtimit. Sepse një shoqëri nuk mëson të bashkëjetojë vetëm kur përballet me një krizë.Ajo e mëson këtë shumë më herët, në familje, në shkollë, në universitet, në komunitet dhe në marrëdhëniet e zakonshme të përditshme, aty ku formohen qëndrimet, mënyra e komunikimit dhe respekti ndaj tjetrit. Në këtë kuptim, arsimi është një nga format më të qëndrueshme të investimit në paqe. Një student që mëson të mendojë në mënyrë kritike është më i përgatitur të dallojë faktin nga manipulimi dhe argumentin nga paragjykimi,një i ri që mëson të komunikojë është më i aftë të përballet me mosmarrëveshjet përmes dialogut, ndërsa një komunitet akademik që respekton diversitetin krijon modele bashkëjetese që mund të shkojnë shumë përtej mureve të universitetit. Sot, kur bota vazhdon të përballet me konflikte, ndarje dhe pasiguri, pyetja “Ku fillon paqja?” merr një kuptim edhe më të thellë, sepse përgjigjja nuk mund të kërkohet vetëm në vendet ku negociohet e ardhmja e shteteve, por edhe në ato hapësira ku formohet njeriu që një ditë do të marrë përgjegjësinë për shoqërinë. Ndoshta fillon në një auditor ku një student mëson se mund të kundërshtojë pa përçmuar, në një bibliotekë ku dija e zgjeron horizontin përtej bindjeve personale, në një debat ku dy njerëz mendojnë ndryshe dhe megjithatë zgjedhin të dëgjojnë njëri-tjetrin, apo në një universitet që nuk transmeton vetëm dije, por krijon edhe kulturën e dialogut dhe të përgjegjësisë. 21 Shtatori na kujton se paqja nuk është vetëm një marrëveshje për të mos luftuar por një zgjedhje e përditshme për të komunikuar, për të respektuar, për të kuptuar dhe për të ndërtuar ura në vend të mureve.Dhe ndoshta aty fillon gjithçka. Tek fjala, tek dija, tek dialogu, tek njeriu.
