Udhëtimi, terapia më e bukur

Ndaje

Ka ditë kur njeriu nuk ka nevojë për këshilla dhe as për shpjegime të gjata por për dikë që t’i tregojë se çfarë duhet të bëjë me jetën e tij. Ka ditë kur thjesht ka nevojë të largohet pak, të mbyllë një derë pas vetes, të marrë një çantë të vogël dhe të nisë rrugën, pa e ditur domosdoshmërisht se çfarë do të gjejë në fund të saj. Ndoshta prandaj e kam dashur gjithmonë udhëtimin, sepse ai nuk të largon vetëm nga një vend, por të shkëput, qoftë edhe për pak kohë, nga ajo rutinë që të ka lodhur, nga telefonatat, detyrimet, oraret, njerëzit që kërkojnë diçka prej teje dhe nga ajo zhurmë e përditshme që nganjëherë, bëhet aq e madhe, sa nuk arrin më të dëgjosh mendimet e tua. Ka diçka të çuditshme dhe të bukur tek udhetimet. Ndërsa kilometrat kalojnë dhe pamja pas xhamit ndryshon, sikur mendja fillon të lirohet ngadalë nga ato gjëra që e kanë mbajtur peng, dhe ajo që disa orë më parë dukej e madhe, e rëndë dhe e pazgjidhshme, papritur fillon të marrë përmasat e saj të vërteta. Më ka ndodhur të udhëtoj me një shqetësim në mendje dhe të kthehem me një përgjigje që nuk ma kishte dhënë askush, jo sepse problemi ishte zhdukur gjatë rrugës, por sepse unë isha larguar mjaftueshëm prej tij për ta parë me sy të tjerë. Ndoshta kjo është një nga dhuratat më të mëdha që të jep udhëtimi, distancën. Kur je shumë afër një dhimbjeje, një zhgënjimi apo një problemi, ai të duket sikur mbush gjithë horizontin tënd dhe sikur nuk ka asgjë tjetër përtej tij, ndërsa mjafton të largohesh pak, të shohësh një qytet tjetër, një det tjetër, një mal apo thjesht një rrugë që nuk e ke përshkuar më parë, për të kuptuar se jeta është shumë më e madhe se ajo që po të ndodh pikërisht në atë moment. Më pëlqen edhe ajo pjesë e udhëtimit që nuk ka asgjë spektakolare, kur zgjohesh herët në një hotel, hap perden dhe përballesh me një pamje që nuk e ke parë kurrë më parë, kur del të kërkosh një kafene të vogël, humbet në një rrugicë, pyet dikë për drejtimin ose merr një kthesë të gabuar dhe, në vend që të zemërohesh, fillon të qeshësh me veten. Sepse udhëtimi të mëson të mos kontrollosh gjithçka. Të mëson se jo çdo rrugë duhet të jetë e planifikuar deri në detaj, se ndonjëherë kthesa e gabuar mund të të çojë në një vend shumë më të bukur se ai që kishe menduar të shihje dhe se jo çdo gjë e papritur është domosdoshmërisht diçka e keqe. Ndoshta pikërisht këtu, qëndron edhe ngjashmëria e udhëtimit me jetën. Edhe jeta është një udhëtim ku nuk e dimë gjithmonë se ku do të na çojë rruga, ku bëjmë plane që ndryshojnë, marrim kthesa që nuk i kishim parashikuar, humbasim njerëz, gjejmë të tjerë, mbyllim dyer dhe, shumë më vonë, kuptojmë se disa prej tyre duhej të ishin mbyllur me kohe, që ne të mund të vazhdonim… Prandaj udhëtimi më duket si terapia më e bukur, jo sepse të premton se do të kthehesh pa probleme, por sepse të jep diçka që shpesh na mungon në përditshmëri,një këndvështrim tjetër. Të kthehesh në shtëpi dhe të kuptosh se ajo që të dukej aq e madhe nuk është më aq e madhe, se disa gjëra mund të presin, se nuk ke pse t’i zgjidhësh të gjitha menjëherë dhe se, ndonjëherë, mjafton të marrësh frymë pak më thellë përpara se të marrësh një vendim. Udhëtimi të kujton edhe se nuk je vetëm ajo që ke lënë pas por ajo që zbulon rrugës, ajo që mëson nga njerëzit që takon, nga vendet që sheh, nga heshtjet që përjeton dhe nga ato çaste të vogla kur, pa ndonjë arsye të madhe, ndihesh thjesht mirë. Dhe ndoshta, kjo është ajo që kërkojmë më shumë ndërsa kalojnë vitet. Jo domosdoshmërisht aventura të mëdha, por momente në të cilat ndihemi përsëri të gjallë, kur diçka e re na zgjon kureshtjen dhe na kujton se ende kemi dëshirë të shohim, të zbulojmë dhe të befasohemi. Prandaj, kur dikush më pyet perse dua të udhëtoj, nuk mendoj vetëm për vendet që dua të shoh, por edhe për veten që dua të takoj rrugës, për atë version timin që del për pak nga rutina, që habitet, që qesh, që lodhet, që humbet, që zbulon dhe që nuk ka nevojë të jetë perfekte. Sepse ndonjëherë nuk kemi nevojë të ndryshojmë jetën perkundrazi, na duhet vetëm të ndryshojmë pamjen përballë nesh, të shohim një horizont tjetër dhe t’i japim mendjes mundësinë të kuptojë se përtej asaj që na shqetëson sot, ekziston ende një botë e madhe që na pret. Dhe pastaj kthehemi në të njëjtën shtëpi, te të njëjtat përgjegjësi, te të njëjtat probleme dhe te e njëjta jetë, por diçka brenda nesh ka lëvizur pak, sepse kemi parë diçka të re, kemi marrë frymë në një vend tjetër dhe kemi kujtuar se jeta nuk është vetëm ajo që duhet të përballojmë, por edhe ajo që kemi ende për të përjetuar. Udhëtimi nuk i zgjidh gjithmonë problemet tona. Ndonjëherë thjesht na largon mjaftueshëm prej tyre, që kur të kthehemi, të mos na duken më aq të mëdha.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit