Ka takime që mbeten thjesht pjesë e kalendarit akademik dhe ka të tjera që lënë pas një ndjesi të veçantë, si një bisedë që vazhdon të jetojë edhe pasi salla është zbrazur. I tillë ishte edhe leksioni i hapur i zhvilluar më 19 maj në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, me praninë e Shkëlqesisë së Tij, Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Shqipëri, z. Skënder Durmishi.Në një atmosferë të ngrohtë dhe qytetare, pedagogë, studentë dhe të ftuar u bënë pjesë e një bashkëbisedimi ku diplomacia nuk erdhi si gjuhë protokolli, por si mënyrë për të afruar njerëzit, mendimet dhe vizionet mes dy vendeve tona.Takimi u çel nga Rektorja e Universitetit të Vlorës, Prof. Dr. Aurela Saliaj, e cila vlerësoi rëndësinë e lidhjeve akademike dhe institucionale mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar rolin që universitetet kanë në ndërtimin e urave të dijes, bashkëpunimit dhe komunikimit mes të rinjve. Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Skënder Durmishi ndau reflektime mbi ekonominë, diplomacinë, pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe marrëdhëniet mes dy shteteve tona, duke sjellë një qasje të hapur, të drejtpërdrejtë dhe njerëzore përballë studentëve dhe pedagogëve. Një nga momentet më simbolike të takimit ishte dhurimi i plisit me simbolin “UV” nga Rektorja Aurela Saliaj, një gjest me domethënie identitare dhe respekti, që i dha takimit edhe më shumë ngrohtësi. Kënaqësia për të dëgjuar një zë që vjen nga diplomacia e Kosovës, për të ndarë ide dhe për të parë studentët të përfshirë në pyetje e diskutime të hapura, e ktheu këtë aktivitet në një përvojë që do të mbahet mend gjatë. Ishte një takim ku fjala kishte peshë, dialogu kishte vlerë dhe mikpritja e Universitetit të Vlorës la gjurmën e saj më të bukur.
