Dale Carnegie. Fuqia e fjalës dhe lidershipit

Ndaje

Dale Carnegie nuk ishte thjesht një autor por një vizionar që hapi rrugën për zhvillimin personal dhe lidershipin modern. I lindur më 24 nëntor 1888 në Maryville, Missouri, në një familje të thjeshtë bujqësore, ai përjetoi sfidat e fëmijërisë dhe punës së përditshme duke kuptuar një të vërtetë themelore se çdo sukses, çdo marrëdhënie dhe çdo ndikim fillon nga aftësia për të komunikuar me sinqeritet dhe qëllim. Në një moshë të hershme, Carnegie vuri re se shumë njerëz kishin frikë të flisnin para të tjerëve, se mungesa e vetëbesimit ndalte talentin dhe idetë e tyre dhe kjo e frymëzoi të ndërtonte një metodë që jo vetëm t’u mësonte njerëzve të flisnin me siguri, por t’i ndihmonte të ndikojnë, të frymëzojnë dhe të ndërtojnë marrëdhënie që zgjasin gjatë. Në vitin 1936, ai botoi librin e tij më të njohur, “How to Win Friends and Influence People”, një udhëzues praktik për jetën dhe komunikimin. Libri tregonte se ndikimi nuk arrihet me urdhër por me interes të sinqertë, dëgjim të vëmendshëm dhe respekt të thellë për të tjerët. Fjala e duhur, në momentin e duhur, mund të ndezë besim, të hapë mundësi të reja dhe të krijojë lidhje të qëndrueshme. Parimet që Carnegie mësoi dhe shpërndau janë të thjeshta, por të fuqishme.Carnegie krijoi seminare dhe kurse që ishin laboratorë të transformimit personal. Praktika intensive, role-play dhe feedback-u i drejtpërdrejtë bënin që çdo pjesëmarrës të dilte me aftësinë për të folur me qartësi, për të krijuar prezencë dhe për të lënë gjurmë që zgjasin. Trashëgimia e tij nuk qëndron vetëm tek teknikat që mësoi, por tek filozofia që përcolli ku çdo fjali, çdo veprim dhe çdo marrëdhënie ka fuqinë të ndryshojë jetën e dikujt dhe të krijojë lidership dhe besim që zgjasin. Ai na mëson se fuqia e vërtetë nuk qëndron vetëm tek ato që thua, por tek mënyra se si zgjedh të prekësh jetën e të tjerëve.
Dale Carnegie na kujton se fjalët tona janë më shumë se thjesht tinguj , ato janë urë, mundësi dhe ndikim. Çdo fjali e zgjedhur me kujdes mund të hapë dyer, të ndërtojë besim dhe të krijojë një botë ku komunikimi është art dhe lidershipi është aftësi që mund ta praktikojmë çdo ditë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit