Demoni dinak dhe problemi i dijes së sigurt.

Ndaje

“ Ndoshta është Zoti ai që më bën të gaboj sa herë që përpiqem të numëroj anët e një katrori ose kur dua të mbledh dy me tre. Ndoshta është gabim t’ia atribuoj Zotit një veprim të tillë, por mund të ekzistojë një demon i keq, po aq dinak sa edhe i fuqishëm, i cili përdor gjithë aftësinë e tij për të më mashtruar. Nëse një demon i tillë ekziston, atëherë gjithçka që shoh mund të jetë vetëm iluzion, i krijuar me qëllim që të më çojë në gabim dhe të përfitojë nga lehtëbesimi im.” Rene Dekart Kur mendoj për idenë e demonit dinak të Dekartit, nuk më duket më aq e largët sa mund të tingëllojë në fillim. Unë e përjetoj dyshimin çdo ditë, jo në forma metafizike por në gjëra të vogla dhe të zakonshme. Ka momente kur jam e bindur për diçka dhe më vonë zbuloj se kam gabuar plotësisht. Kjo më bën të pyes veten se sa i besueshëm është mendimi im? Kur shoh një shkop të futur në ujë dhe ai më duket i përkulur, unë e di se shkopi në të v ërtetë është i drejtë por sytë e mi më mashtrojnë. Nëse shqisat e mia mund të më mashtrojnë për një gjë kaq të thjeshtë, pse të jem i sigurt se nuk më mashtrojnë edhe për gjëra më të mëdha? Edhe në matematikë, që duket fusha më e sigurt, dyshimi mund të futet fshehurazi. Unë them me bindje se 2 + 3 = 5, por Dekarti më detyron të pyes. Po sikur të jem duke u mashtruar?
Po sikur të ekzistojë diçka, qoftë demon apo thjesht kufizim i mendjes sime që më bën të besoj se kjo është e vërtetë, ndërsa në fakt nuk është? Në jetën e përditshme, “demoni dinak” mund të marrë forma të tjera. Ai mund të jetë paragjykimi im, frika ime ose besimi i verbër në atë që më thonë të tjerët. Unë shpesh i pranoj gjërat si të vërteta pa i shqyrtuar mjaftueshëm, vetëm sepse duken të qarta ose sepse i pranon shumica.Duke dyshuar në gjithçka, unë nuk po shkatërroj dijen time, por po përpiqem ta ndërtoj atë mbi një bazë më të fortë. Sepse nëse arrij të gjej diçka për të cilën nuk mund të dyshoj, atëherë e di se aty fillon e vërteta. Dhe pikërisht ky dyshim i thellë, sado shqetësues të jetë, bëhet mjeti im më i fuqishëm për të kuptuar botën dhe veten time.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit