Për një kohë të gjatë u besua se William Shekspir ishte një njohës i thellë i tragjedive dhe romancave të Greqisë së Lashtë. Ideja tingëllonte joshëse për dramaturgun më të madh të gjuhës angleze, i ushqyer drejtpërdrejt nga Eskili, Sofokliu apo Euripidi. Por historia, si shpeshherë, rezulton më e ndërlikuar dhe më interesante. Shekspir nuk lexonte greqishten e lashtë por fryma e Greqisë është e pranishme në veprën e tij. Atëherë, si ndodhi kjo? Përgjigjja qëndron te ndikimi i tërthortë. Greqia i erdhi Shekspir- it e filtruar përmes Romës. Autorë si Plutarku, Seneka dhe Ovidi ishin ura që lidhën botën klasike me Anglinë elizabetiane. Përkthimet e tyre ishin të qarkullueshme, të lexuara dhe të përthithura nga kultura e kohës. Nëpërmjet tyre, Shekspir trashëgoi jo tekstet greke por strukturat mendore të tyre. Tragjedia greke nuk jeton te Shekspir si formë e pastër por si ide, fati që përplaset me vullnetin, pushteti që gërryen njeriun, pasioni që e çon heroin drejt shkatërrimit. Hamleti, Makbethi apo Mbreti Lir nuk janë tragjedi greke por mbartin të njëjtin ankth ekzistencial që përshkon mitet e lashta. Pyetja “kush jam?” dhe “sa kontroll kam mbi jetën time?” është po aq greke sa edhe universale. Shekspir nuk imiton antikitetin por e rishpik atë. Ai merr konfliktin tragjik dhe e vendos në një botë ku perënditë heshtin, ku përgjegjësia bie mbi individin. Në këtë kuptim, ndikimi grek tek ai nuk është akademik por filozofik. Është ideja se njeriu është i madhërisht i brishtë, se mendja e tij është njëkohësisht burim force dhe shkatërrimi. Kjo e bën lidhjen e Shekspir- it me Greqinë edhe më domethënëse. Ai dëshmon se ndikimi kulturor nuk kërkon gjithmonë njohje të drejtpërdrejtë. Idetë udhëtojnë, transformohen dhe mbijetojnë përmes shekujve. Greqia e Lashtë jeton te Shekspir jo si tekst por si frymë, një kujtesë se pyetjet themelore të njeriut mbeten të njëjta, pavarësisht gjuhës, kohës apo vendit. Ndoshta kjo është arsyeja pse Shekspir vazhdon të na flasë edhe sot, sepse ashtu si tragjedianët grekë, ai kuptoi se historia e vërtetë nuk është ajo e perandorive por ajo e shpirtit njerëzor.
