Të rinjtë që na japin arsye të besojmë

Ndaje

Sot, në 35-vjetorin e Ditës Kombëtare të Rinisë, u zgjova pothuajse herët me zërat e të rinjve.
Një mëngjes që nuk ishte thjesht një podcast, por një pasqyrë e një brezi që kërkon të dëgjohet, të kuptohet dhe të marrë pjesë në ndërtimin e qytetit ku dëshiron të jetojë. Në sallën e vogël të podcastit universitar, katër të rinj, Fioralba, Paola, Kiara dhe Martini hynë me thjeshtësi, por folën me një pjekuri që të lë pa fjalë. Ata flisnin për Vlorën jo thjesht si vendlindje por si një premtim që duhet të mbahet. Të rinj me ëndrra të mëdha por edhe me pengje të vogla që shpesh mbeten të pathëna,mungesa e hapësirave, nevoja për më shumë mundësi, dëshira për t’u ndier pjesë e vendimeve. Dhe në këtë atmosferë, ishte e pranishme edhe Bruna, Kryetarja e sapozgjedhur e Bashkisë. Unë e njoh Brunën si mjeke, si nënë që ka rritur dy vajza të mrekullueshme ku njëra prej tyre Kimberly, është ish nxënësja ime. Jetojmë një jetë pak metra larg në lagjen e vjetër Muradie dhe e kam njohur gjithnjë në rolin e njeriut të përkushtuar, të drejtëpërdrejtë por edhe të përmbajtur kur duhet. Por sot, para të rinjve, Bruna foli ndryshe, me një sinqeritet që nuk është i zakonshëm në pozitat publike. Foli për atë që ka shkuar keq, për atë që ka “ngecur” për pengjet që i trashëgojmë si qytet, për dëshirën dhe përgjegjësinë për të bërë më shumë. Ajo nuk foli për projekte në letër por për njerëzit, për të rinjtë, për forume, ku zëri i tyre të mos jetë ceremonial por ndikues. Për kartat e studentit që nuk duhet të jenë privilegj por e drejtë e tyre. Për krijimin e mundësive që të rinjtë të mos detyrohen të largohen për të ndërtuar të ardhmen por ta ndërtojnë këtu, në Vlorë. Sot më goditi diçka, mënyra si të rinjtë e shihnin dhe e dëgjonin Brunën, Kryetaren e Bashkisë . Me vëmendje, me shpresë por edhe me një kërkesë të heshtur. “Mos na zhgënjeni.” Dhe ajo, në mënyrën e saj të ciltër sot u tha: “Do bëj dhe do bëjmë së bashku shumë gjëra. Kini besim” E gjithë kjo më ktheu pas në mendimet e një dhjetoristi, sepse po, sot përballë nesh ishte një grua që dikur, në vitet e vështira të fillimit, ka qenë vetë një e re që ka ëndërruar për liri, për demokraci, për mundësi. Dhe ishte prekëse kur ajo u foli të rinjve për atë kohë, duke i bërë ata të kuptojnë se historia e çdo qyteti ndërtohet nga breza që guxojnë. Sot pashë një lidhje të rrallë, një brez të ri plot energji dhe një drejtuese që shfaq gatishmërinë dhe dashurinë për t’i dëgjuar. Sot pashë se Vlora ka shpresë. Jo sepse problemet janë zgjidhur por sepse të rinjtë po flasin dhe po flasin qartë. Sepse qyteti ka zëra që kërkojnë më shumë se premtime dhe sepse, pavarësisht çdo gjëje, të rinjtë tanë duan të qëndrojnë. E duan këtë qytet. Janë gati të kontribuojnë për të mjafton t’u japim hapësirën. Gëzuar Ditën e Rinisë!
Gëzuar të gjithë atyre që besojnë se e ardhmja ndërtohet me të rinj dhe për të rinj.🙏

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit