Gjenerata Z.Brezi që rritet mes ekranit dhe shpirtit të vetmuar

Ndaje

Ata lindën me dritën e ekranit në sy dhe me zhurmën e botës në vesh. Nuk e njohin një botë pa lajme që vërshojnë pa pushim, pa notifikime që nuk ndalen, pa fotot që tregojnë jetë që shpesh nuk ekzistojnë. Ky është brezi Z, brezi që rritet mes shpejtësisë dhe heshtjes, mes botës reale dhe asaj virtuale. Shpesh duken arrogantë, indiferentë, të ftohtë ndaj të tjerëve. Por kjo është maska që ata vënë për t’u mbrojtur. Pas çdo heshtjeje, pas çdo indiference, fshihet një shpirt që ndien shumë, shpesh më shumë sesa ne e kuptojmë. Ata vuajnë për padrejtësi që të rriturve mund t’u duket të parëndësishme. Ata ëndërrojnë për një botë më të drejtë, por shpesh nuk kanë me kë të ndajnë frikën dhe pasionin e tyre. Pse Z? Pas X dhe Y vjen Z , fundi i një rrëfimi dhe fillimi i një tjetër. Brezi Z nuk është thjesht një shenjë renditjeje por simboli i një epoke të re. Ata jetojnë në shpejtësinë e kohës, ku çdo informacion arrin para se të mund të reflektojnë. Janë të lidhur me të tashmen, por mendja e tyre fluturon drejt të ardhmes, një të ardhme që ende është e paqartë dhe shpesh e frikshme. Ata janë të vetmuar mes rrjeteve sociale dhe botës reale. Një “like” mund të duket e lehtë, por emocionet brenda janë të vërteta dhe të forta. Ata nuk duan të jenë thjesht pjesë e turmës,kërkojnë kuptim, kërkojnë të kuptohen, kërkojnë të lënë gjurmë dhe kur japin dashurinë, kujdesin ose solidaritetin, ajo është e thellë dhe pa kompromis. Një intensitet që shpesh të rriturve u duket i huaj, sepse ata nuk e shohin përtej sipërfaqes. Ky brez është sfidues. Ata sfidojnë normat, zgjedhin rrugë të panjohura, krijojnë realitete të reja. Por ata janë edhe të ndjeshëm ndaj krizave globale, ndaj ngrohjes së planetit, ndaj padrejtësive sociale. Ata e kuptojnë fuqinë e vetme të zërit të tyre, por shpesh ndihen të pafuqishëm përballë një bote që duket se lëviz pa kontroll. Gjenerata Z nuk është fundi i asgjëje. Ajo është fillimi i një kapitulli të ri, ku teknologjia bashkohet me ndjenjat, ku shpejtësia nuk fshin reflektimin, dhe ku çdo veprim, çdo postim, çdo zgjedhje ka peshë. Ata janë brezi që do të ndërtojë botën që ne do të trashëgojmë. Disa e quajnë të ftohtë, disa të indiferent, por ata janë krijues të një realiteti që ende nuk e kemi kuptuar. Për ne që i shohim nga larg duhet të ndalemi dhe të dëgjojmë. Të mos gjykojmë sipërfaqësisht. Sepse pas indiferencës dhe arrogancës, fshihet një botë e brendshme që kërkon të flasë. Një botë që do të ndryshojë mënyrën se si ne e shohim të tashmen dhe të ardhmen. Një botë që kërkon durim, vëmendje dhe dashuri.
Gjenerata Z është e tashmja që përballet me të ardhmen. Brezi i ekranit dhe i emocioneve, i shpejtësisë dhe reflektimit. Brezi që mbart shpirtin e një bote të ndërlikuar, por të pasur me mundësi. Një brez që do të na mësojë se, edhe mes kaosit të ditëve moderne, ndjenja, dashuria dhe empatia nuk janë kurrë të vjetruara. Gjenerata Z është një kujtesë, nuk ka rëndësi sa shpejt ndryshon bota, sa shumë informacione vërshojnë mbi ne, sa e shpejtë është koha. Ajo që mbetet e përjetshme është dëshira për të kuptuar, për të ndjerë dhe për të lidhur zemrat. Dhe në këtë, brezi Z mund të na tregojë rrugën.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit