Festa e fjalës që bashkon lexuesit

Ndaje

Nga 13 deri më 16 nëntor 2025, Pallati i Kongreseve në Tiranë hapi sërish dyert për një nga ngjarjet më të dashura kulturore të vitit . Panairin e 28-të të Librit. Motoja e këtij edicioni është domethënëse: “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat.”
Një thirrje e bukur për të kujtuar se në një botë që ndryshon çdo ditë, libri mbetet busulla që na udhëzon drejt dijes, reflektimit dhe ndjeshmërisë njerëzore. Në këtë panair marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese shqiptare dhe të huaja, të cilat do të sjellin dhjetëra tituj të rinj, përfshirë romane, ese, libra për fëmijë, përkthime dhe botime shkencore. Gjatë katër ditëve të panairit, lexuesit do të kenë mundësi të marrin pjesë në prezantime librash, diskutime, takime me autorë, si dhe të përfitojnë nga zbritjet e shumta që ofrojnë botuesit. Në stendat e librit do të ndihen aroma e letërsisë, zëri i autorëve, entuziazmi i studentëve, dhe ajo ndjenjë e veçantë që vetëm një libër i ri mund të sjellë shpresa për një fillim të ri në mendim dhe ndjesi. Ky panair nuk është vetëm një vend ku blihen libra por një hapësirë frymëzimi, ku njeriu përballet me ide, me kujtime dhe me vetveten. Në një kohë kur leximi shpesh sfidohet nga shpejtësia e teknologjisë, Panairi i Librit në Tiranë mbetet një moment reflektimi kolektiv,një kujtesë se dija, kultura dhe fjala e shkruar janë ende rrënja e shoqërisë sonë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit