Ka njerëz që i japin botës shpikje dhe të tjerë që i japin ide.Por ka edhe një kategori më të rrallë, ata që i japin kuptim vetë përvojës njerëzore.
Një prej tyre ishte Hans Selye, njeriu që i dha formë një fjale që sot e shqiptojmë çdo ditë,stresi.
Në një botë që rrotullohet me shpejtësinë e ankthit, ku ora është gjithmonë armik dhe pushimi luks, fjala “stres” është bërë pothuajse sinonim i ekzistencës moderne. Por në fillim të shekullit XX, ajo nuk kishte as kuptim, as emër. Ishte thjesht një gjendje lodhjeje, një mjegull emocionale që mjekët nuk dinin si ta përkufizonin. Derisa erdhi një djalë i ri nga Vjena me një kureshtje të pazakontë për njeriun dhe trupin e tij.
Hans Hugo Bruno Selye lindi më 26 janar 1907 në Vjenë, në një familje me origjinë hungareze. Që fëmijë, ai tregoi prirje për shkencën dhe vëzhgimin. Në moshën 19-vjeçare, nisi studimet për mjekësi në Universitetin e Pragës, ku u diplomua me rezultate të larta por ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë që ëndërronin karrierë klinike, Selye kishte një pyetje që nuk e linte rehat se përse njerëzit sëmureshin ndryshe, edhe kur përjetonin të njëjtat vështirësi?
Në laboratorët e tij të hershëm, ai filloi të vëzhgonte kafshë që ekspozoheshin ndaj kushteve të ndryshme,i ftohti, uria, frika apo dhimbja.Në vend që të gjente ndryshime të mëdha, ai zbuloi diçka befasuese se trupi i tyre reagonte gjithmonë në mënyrë të ngjashme, pavarësisht nga shkaku i stresit.Ishte një reagim universal, një program mbijetese që aktivizohej automatikisht.
Kështu lindi ideja e tij më e famshme “Sindroma e Përgjithshme e Përshtatjes”,modeli i tre fazave me të cilin trupi përballet me çdo sfidë.
Faza e alarmit kur kupton kërcënimin dhe mobilizon energjitë. Rritet adrenalina, frymëmarrja bëhet më e shpejtë, zemra rreh fort. Është momenti “lufto ose ik” dhe instinkti i mbijetesës është në veprim.
Faza e rezistencës nëse stresi vazhdon, trupi përpiqet të ruajë ekuilibrin. Hormonet punojnë me intensitet, mendja përqendrohet në përballje.Në këtë fazë, shumë njerëz “dritësohen” , punojnë më shumë, më fort, me fokus por kjo energji ka një çmim.
Ndërsa faza e rraskapitjes kur trupi nuk mund të mbajë më ekuilibrin, rezervat shterojnë. Sistemi imunitar dobësohet, zemra, truri dhe organet ndihen të lodhura. Kjo është pika ku stresi i padëmshëm bëhet sëmundje.
Për herë të parë, dikush e shpjegonte biologjikisht se pse emocionet, ankthi apo frika mund të sëmurin trupin.
Dhe ky ishte zbulim revolucionar për kohën , një urë mes mjekësisë dhe psikologjisë.
Selye nuk e shihte stresin si armik por e ndante në dy lloje:
Eustress, stresi i mirë, që të motivon, të mban zgjuar, të shtyn përpara dhe distres,stresi i keq, që të thyen, të rraskapit dhe të shkatërron nga brenda. Ai thoshte shpesh se pa stres, nuk ka jetë. Pa tension, as telat e violinës nuk do të prodhonin muzikë. Në një epokë ku lodhja shihej si dobësi, Selye solli një ide krejt të re,që çdo organizëm ka kufij të përshtatjes. Dhe kur këta kufij kalohen, trupi fillon të flasë me simptoma ,lodhje, dhimbje koke, tension, ankth,sinjale që shumë prej nesh sot i quajmë normale.
Në vitin 1931, ai emigroi në Kanada, ku themeloi laboratorin e parë të studimit të stresit në Universitetin e Montrealit.Gjatë karrierës së tij, botoi mbi 1,700 artikuj shkencorë dhe 39 libra. Ishte nominuar disa herë për Çmimin Nobel, megjithëse nuk e fitoi kurrë.Por ndikimi i tij kaloi kufijtë e çdo çmimi. Ai ndryshoi mënyrën se si mjekësia kuptonte marrëdhënien mes trupit dhe mendjes.
Në vitet ’60, teoritë e tij u përqafuan nga mjekët, psikologët dhe pedagogët në të gjithë botën. Ai u bë një figurë që ftonte njerëzit të jetonin me vetëdije, të njihnin trupin e tyre dhe kufijtë e tij.
Përtej laboratorit, Hans Selye ishte një njeri i thjeshtë, me një dashuri të thellë për muzikën klasike dhe filozofinë.
Ai besonte se shkenca pa moral është si energjia pa dritë, e fuqishme por e verbër.
Në librin e tij “The Stress of Life”, ai shkruan se qëllimi i jetës nuk është të shmangësh stresin por ta përdorësh atë për qëllime fisnike.
Kjo filozofi e bëri atë më shumë se shkencëtar, e bëri mësues të jetës.
Ai vdiq në vitin 1982, në Montreal, në të njëjtin qytet ku kishte ndërtuar laboratorin e tij.Por idetë e tij jetojnë në çdo këshillë për “balancë”, në çdo terapi për menaxhimin e stresit,në çdo fjalë që na kujton të marrim frymë më thellë.
Në një kohë ku stresi është bërë sëmundja më e përhapur në botë, mësimi i Hans Selye është më aktual se kurrë.
Ai na kujton se nuk mund ta shmangim jetën por mund të mësojmë ta përballim me urtësi.
Se nuk është dobësi të ndihesh i lodhur, por mungesë mençurie të mos ndalesh.
Sot, kur bota mat suksesin me shpejtësi dhe fitim, zëri i tij vjen si një kujtesë e qetë se nuk është stresi ai që na shkatërron, por mënyra se si i përgjigjemi atij.
Në këtë kuptim, Hans Selye nuk ishte vetëm babai i stresit por filozofi i balancës, njeriu që i mësoi njerëzimit se njeriu nuk është makinë por një harmoni e brishtë mes trupit, mendjes dhe shpirtit.
Portreti i tij është më shumë se shkencë,është kujtesë.Se çdo tension që ndjejmë, çdo lodhje që përjetojmë, është thirrja e trupit për t’u kujtuar se edhe forca ka nevojë për pushim.
Ndaje
