Despotizmi i Senekës dhe ai i ditëve tona midis pushtetit dhe shpirtit

Ndaje

Në çdo epokë, njeriu është përballur me të njëjtin rrezik,pushtetin që e kalon kufirin e arsyes dhe bëhet despotizëm. Në Romën e shekullit I pas Krishtit, Lucius Annaeus Seneca, filozofi stoik dhe mësuesi i perandorit Nero e përjetoi këtë rrezik nga afër. Ai ishte dëshmitar dhe viktimë i mënyrës se si pushteti, kur çlirohet nga morali, shndërrohet në një forcë që shtyp dhe korrupton. Por ajo që e bën Senekën të veçantë është se ai nuk e përshkroi despotizmin si një fenomen politik por si një sëmundje të shpirtit. Në letrat e tij morale, ai e sheh tiranin jo vetëm si sundimtarin që torturon trupin e të tjerëve, por edhe si njeriun që nuk zotëron dot veten. Në këtë kuptim, despotizmi për Senekën është përbindëshi që lind nga brenda njeriut, nga mungesa e vetëkontrollit, nga epshi për pushtet, nga frika dhe nga etja për lavdi.
Kështu, pyetja që na vë përballë Seneka është e përjetshme. A është despotizmi një regjim politik apo një gjendje shpirtërore? Në traktatet e tij, sidomos në De Clementia (“Mbi mëshirën”), De Ira (“Mbi zemërimin”) dhe Epistulae Morales ad Lucilium (“Letrat morale drejtuar Lukilit”), Seneka përpiqet t’i mësojë Neros virtytin e përmbajtjes,atë që stoikët e quanin temperantia.
Ai i thotë se pushteti është i qëndrueshëm vetëm kur sundimtari di të sundojë vetveten.
Por Nero, i dehur nga lavdia, shndërrohet në mishërim të asaj që Seneka e quante njeriu i paarsyeshëm, një qënie që nuk i bindet më logos-it, arsyes natyrore. Në këtë kontekst, Seneka e sheh despotizmin si degjenerim të shpirtit stoik, si humbje e masës dhe e përmbajtjes, si skaj ekstrem i pasionit njerëzor për dominim. Kjo është arsyeja pse në De Ira, ai thotë se zemërimi është një çmenduri e përkohshme dhe në duart e një sundimtari, kjo çmenduri kthehet në politikë. Për Senekën, despoti nuk është i fortë por i sëmurë.Ai sundon nga frika, sepse është i robëruar nga frika.Ai urdhëron vrasje për të mbrojtur veten nga hijet e vetes dhe në këtë kuptim, tirania për të nuk është vetëm sistem por pasqyrë e dobësisë. Në shikim të parë, bota moderne duket e çliruar nga tiranitë klasike,nuk kemi perandorë me toga, as gladiatorë në sheshe.
Por, në një formë tjetër, despotizmi ka ndryshuar veshje dhe është bërë më i hollë, më i përhapur, më i brendshëm. Sot, despoti nuk është vetëm njeriu në pushtet por sistemi që na ndjek, algoritmi që na drejton mendimet, kultura e kontrollit dhe e vetëkontrollit që na bën të ngjajmë të lirë ndërsa jemi të varur. Në politikë, shfaqet përmes populizmit autoritar që sundon me premtime dhe frikë, duke përdorur gjuhën e lirisë për të kufizuar vetë lirinë. Në shoqëri, përmes kultit të imazhit dhe suksesit, që i bind njerëzit të sundohen nga pamja dhe jo nga mendimi.Në psikologji, përmes ndjenjës së përhershme të pasigurisë, që i bën njerëzit të pranojnë kontrollin për pak qetësi. Në këtë sens, despotizmi modern është më i përkryer se ai i Romës, sepse nuk duket.Nuk të vret trupin por e zë rob shpirtin. Nuk të imponon heshtjen, por të mëson ta zgjedhësh vetë.
Gjithashtu Seneka e pa despotizmin si shenjë të humbjes së dinjitetit njerëzor. Sot, kjo humbje, nuk vjen më nga frika e dënimit por nga harrimi i vetes në zhurmën e botës.Ne nuk kemi më nevojë për një Nero sepse shpesh, e kemi Neronin brenda vetes, në etjen për dominim, për pasuri, për vëmendje. Në këtë botë të re, zëri i Senekës tingëllon më aktual se kurrë.
Ai na kujton se liria fillon nga vetëkontrolli, se njeriu është i lirë vetëm kur nuk e sundojnë pasionet, frika dhe dëshirat. Në Letra për Lukilin, ai shkruan se “Askush nuk është i lirë, përveç atij që sundon vetveten.” Dhe kjo është formula e përjetshme kundër çdo despotizmi të jashtëm apo të brendshëm.Sepse despoti mund të ketë ushtri, por nuk ka paqe,mund të ketë frikë, por nuk ka dinjitet. Ndërsa njeriu që sundon shpirtin e vet është më i lirë se çdo mbret. E pra, nga Roma e Neronit deri te bota dixhitale e sotme, despotizmi mbetet forma më e vjetër e frikës njerëzore,frika nga humbja e kontrollit. Seneka e kuptoi se rruga drejt lirisë nuk është rrëzimi i tiranit por çlirimi nga varësia ndaj pushtetit, çfarëdo forme që ai marrë.Nëse dikur tirania jetonte në pallatet e arit, sot ajo jeton në ekranet tona. Nëse dikur sundonte trupat, sot sundon mendjet.
Por antidoti mbetet i njëjtë,arsyeja,vetëdisiplina dhe virtyti stoik. Sepse, në fund, siç do të shkruante vetë Seneka para se të vdiste, “nuk mund të më marrë askush lirinë, nëse e mbaj brenda vetes.”

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit