Nga gjithë kodet që kemi lexuar ndonjëherë, “Kodi i Da Vinçit” mbetet një nga më të diskutuarit, një rrëfim tronditës, me sekrete të fshehura, shoqëri misterioze dhe një të vërtetë që rrezikon të përmbysë rendin botëror. Por më lini t’ju them. Edhe Dan Brown do ta kishte zili imagjinatën e atyre që kanë hartuar projektin e ri të Kodit Penal në Shqipëri. Po flasim për një kod që ka vendosur të mbrojë flamurin dhe figurat institucionale si të ishin artefakte të shenjta. “Përdhosje e simboleve” thotë neni. E, nëse ndonjë gazetar, qytetar apo memexhi i rrjeteve sociale mendon të bëjë humor me ndonjë institucion, rrezikon të gjendet jo në muzeun e Luvrit, por në bankën e të pandehurve. Kujtoni kur Robert Langdon në “Kodin e Da Vinçit” përpiqej të deshifronte mesazhe të fshehura në afreske dhe ikona të shekullit të XV? Tani, gazetari shqiptar duhet të deshifrojë “nenet me gjuhë të paqartë” që mund të interpretohen si të duash dhe zakonisht kundër tij. Asgjë nuk është më e rrezikshme se një ligj që nuk kuptohet përveç një ligji që kuptohet shumë mirë si mjet ndëshkimi. Në vend të “Sionit të Shenjtë” kemi një sistem që kërkon të shenjtërojë institucionet politike. Në vend të misterit të Linjës Mbretërore, kemi një mister tjetër, si u konceptuan këto nene që kërcënojnë lirinë e fjalës si në një roman distopik? Kush janë autorët e vërtetë? Dhe më e rëndësishmja.A do të guxojnë njerëzit të flasin për to? Ironikisht, edhe në “Kodin e Da Vinçi”, gjithçka fillon me një vrasje. Në kodin tonë, gjithçka fillon me një “përdhosje” , një fjalë që s’guxon as të përkufizohet qartë. Mjafton një mimikë, një titull editorial, një meme, një status në Facebook, dhe ja ku je. Simbolet e shenjta janë cenuar dhe dikush duhet të dënohet. Përse? Sepse qeveria ka lexuar shumë trillime dhe e ka ngatërruar ligjin me narrativë fantastiko-represive. Në fund, mbetet një pyetje. Në “Kodi Da Vinçi”, pas të gjitha mistereve, zbulohet një e vërtetë. Në Kodin Penal të ri, çfarë do të zbulojmë? Që e vërteta nuk lejohet më? Në një vend ku historia është shkruar me shprehje të guximshme, e tashmja nuk mund të fshihet me nene që kërkojnë heshtje. Dhe nëse kërkoni një kod për të zbuluar, lexoni “Kodi i Da Vinçit”. Kodi Penal i ri… thjesht do t’ju mbajë të heshtur.
