Sokrati, filozofi i madh i Athinës, lindi rreth vitit 469 para Krishtit, në një qytet që pas Luftës së Peloponezit (431–404 p.K.) përjetonte tensione të thella shoqërore dhe politike. Athina, dikur qendër e artit, filozofisë dhe demokracisë, po përballej me pasojat e humbjes dhe ndarjes së qytetarëve, një pjesë kërkonte rindërtim kulturor dhe moral, ndërsa një tjetër ndjekte pushtetin dhe pasurinë personale përmes intrigave dhe manipulimeve politike. Në këtë klimë, nevoja për reflektim moral, drejtësi dhe kuptim të jetës ishte më e madhe se kurrë dhe Sokrati u shfaq si një figurë që sfidonte jo vetëm mendimet e zakonshme por edhe arrogancën e pushtetit dhe sofistëve, që ofronin njohuri për fitim personal dhe aftësi retorike për të mashtruar masat.
Sokrati ishte i veçantë për mënyrën se si fliste dhe mendonte, ai nuk shiste ide të gatshme, nuk kërkonte admirim, dhe as nuk përpiqej të fitonte pushtet politik përkundrazi, ai ecte nëpër agora, në sheshet e mëdha publike duke u ndalur pranë grupeve të rinj dhe qytetarëve të zakonshëm, duke u bërë shpesh i bezdisshëm për ata që nuk donin të përballeshin me vetëdijen e tyre. Metoda e tij dialektike, e njohur si elenchus – kontroll përdorte pyetje të thjeshta dhe të qarta për të nxjerrë në pah kontradiktat dhe për të sfiduar bindjet e ngurta, duke i detyruar bashkëbiseduesit të reflektonin mbi jetën, drejtësinë dhe moralin e tyre. Në këtë periudhë, Athina kishte qenë edhe vendlindja e sofistëve, të cilët, të njohur ndryshe si “mësues shëtitës”, ofronin edukim për të rinjtë në retorikë, oratori dhe aftësi për të arritur sukses shoqëror, shpesh duke i mësuar jo virtytin por si të imponoheshin dhe të manipulonin në jetën publike.
Sokrati e kritikoi këtë qasje.Pët të, dija nuk mund të jetë e ndarë nga morali dhe aftësia për të bindur nuk mund të jetë më e rëndësishme se drejtësia dhe virtyti. Ai nuk u përpoq të fitojë pasuri apo famë, qëllimi i tij ishte një udhërrëfyes moral për qytetarët dhe një kritik i shoqërisë së tij, që shpesh pranoi padrejtësinë, arrogancën dhe hipokrizinë. Historia tregon se Sokrati shpesh sfidonte politikanët e fuqishëm duke u pyetur qetësisht nëpër debate publike: “A mund të thuash se veprimet e tua janë të drejta për të gjithë qytetarët apo vetëm për ata që të ndihmojnë në pushtet dhe pasuri?” Pyetja, e thjeshtë në dukje, nxirrte në pah dyfytyrësinë dhe manipulimin e atij që pretendonte drejtësi. Ai ishte këmbëngulës në idenë se vetëm përmes vetëdijes dhe reflektimit mund të arrihet një shoqëri e drejtë dhe individë të përgjegjshëm. Sokrati nuk ishte vetëm filozof i teorisë. Ai u bë një pjesë e jetës së Athinës, një ndërhyrës i vazhdueshëm në agoratë e mëdha duke shërbyer si udhërrëfyes moral dhe kritik i heshtur i realitetit politik. Në vitin 399 p.K., pas viteve të debatit publik dhe sfidimit të sofistëve dhe politikanëve, ai u përball me gjykatën e qytetit, ku akuzat për “korruptim të rinisë dhe mosrespektim të perëndive të qytetit” reflektonin tensionin mes idealit moral dhe realitetit politik. Ai nuk u mbrojt me fjalë të bukura apo mashtruese por pranoi dënimin me helm, duke treguar se filozofia dhe virtyti nuk matet me jetë të gjatë, pushtet apo famë por me qëndrueshmërinë morale dhe përkushtimin ndaj së drejtës. Trashëgimia e tij, e ruajtur përmes dialogëve të Platonit dhe shkrimeve të Ksenofonit, tregon se filozofia nuk është thjesht teorikë por një mjet për të sfiduar padrejtësinë, arrogancën dhe interesin personal duke ndihmuar qytetarët të jetojnë me ndërgjegje, të kuptojnë veten dhe të kontribuojnë për të mirën e përbashkët. Sokrati mbetet një shembull i pavdekshëm i reflektimit filozofik si synim drejt të vërtetës dhe një kujtesë e fuqishme se njohuria dhe virtyti janë themeli i çdo shoqërie të shëndoshë dhe çdo qytetari të përgjegjshëm. Në këtë mënyrë, jeta e Sokratit tregon qartë lidhjen mes filozofisë, historisë dhe jetës shoqërore. Një individ që kërkon të kuptojë veten dhe të përmirësojë shoqërinë mund të sfidojë arrogancën, padrejtësinë dhe sofizmat, duke lënë gjurmë të përhershme në historinë e mendimit dhe moralit njerëzor.
Ndaje
