Nuk ka asgjë më të mërzitshme se të nisesh në mëngjes, të mbash llogaritë e minutave për të mbërritur në punë dhe të kuptosh se gjithçka që ke parashikuar do të dështojë për shkak të një kaosi të pafund. Çdo ditë që del nga shtëpia ndihesh si në një film, por jo në një film të bukur, më shumë si në një dramë të vazhdueshme me shumë ndalesa, shumë pengesa dhe shumë mundësi të humbura. Shumë pak sekonda pas daljes nga shtëpia, kalon përmes Sheshit të Flamurit ku fillon ankthi dhe ndalesa e parë është ajo në kryqëzimin e Sheshit të Kapeles. Aty drejtuesit e automjeteve ecin me intuitë duke e kaluar çdo minutë e duke luftuar për të mbijetuar në atë rrëmujë të papërshkrueshme dhe më e keqja është se duhet të llogaritësh të paktën 6 minuta për të dalë nga ky tmerr. 6 minuta që kalojnë si 6 orë. Pas kësaj, rruga të çon tek Mobileri Aliko që gjithashtu është bërë simbol i këtij qyteti të ngrirë në kohë. Aty, gjithçka është një shpërthim i dytë i kaosit , një tjetër provë që tregon se Vlora, në vend që të jetë një qytet i bukur dhe mikpritës është kthyer në një labirint të bllokuar ku njerëzit presin, bëjnë manovra dhe shpesh ndihen të humbur në këtë kaos që nuk merr fund. Nëse kjo situatë ndodhte një herë, do ta quaja një incident por po ndodh çdo ditë dhe atëherë kam të drejtën të them se po bëhet një problem i thellë i menaxhimit dhe planifikimit urban. Ndërkohë që Vlora mund të ishte një qytet që tërheq mijëra vizitorë për bukurinë dhe historinë e saj në cdo stinë të vitit, realiteti i trafikut është krejt tjetër, stres dhe pluhur pa fund. Kanë kaluar muaj e muaj të tërë dhe cdo gjë është numëro në vend. Rruga pranë lokal Holliday, një pikë e rëndësishme që shkakton trafik dhe kaos , e shqyer prej muajsh dhe natyrshëm mendon, çfarë po presim? Përse nuk mund të realizohen këto punime në periudha më të qeta, kur qyteti është më pak i ngarkuar dhe më i gatshëm të përballojë këto ndërhyrje? Përse çdo vit duhet të kalojmë të njëjtën përvojë të pa planifikuar? Këto janë pyetje që na shqetësojnë të gjithëve. Vlorës i duhet një ndryshim i thellë në mënyrën e menaxhimit të infrastrukturës sepse nuk mund të lejohet që trafiku dhe kaosi të bëhen pjesë e përditshmërisë. Çdo qytetar dhe çdo turist që vjen këtu meritojnë më shumë se kaq. Nëse Vlora do të mund të transformohej në një destinacion të vërtetë turistik duhet të fillojmë të mendojmë për të ardhmen. Duhet një planifikim i kujdesshëm, një koordinim i qartë dhe një menaxhim që nuk e vë qytetin në rrezik çdo vit. Dhe ajo që kërkojmë është një qytet funksional, që e menaxhon kohën dhe burimet e tij duke siguruar një përvojë pozitive për të gjithë, për ata që jetojnë këtu dhe për ata që e vizitojnë. Ndaj ky është një apel për autoritetet dhe për të gjithë ata që kanë në dorë menaxhimin e qytetit , të bëjnë ndryshimin që kaq shumë e meritojmë. Vlora ka potencial dhe mbi të gjitha ka nevojë vetëm për një plan dhe për një angazhim të sinqertë për të realizuar atë që mund të jetë, një qytet që është në lëvizje, që është i organizuar dhe që është gati të mirëpresë këdo, në cdo stinë të vitit.
