Kur dikush të godet, ti ke të drejtë të mbrohesh. Kur dikush të ofendon, të shan, të nënçmon, ti ke të drejtë të mbrohesh e të thuash, ndal. Sepse dhuna nuk është vetëm fizike. Dhuna është edhe verbale, edhe psikologjike. Është ajo që ndodh në heshtje ,në sy, në qëndrim, në sjellje. Dhuna ndodh kudo,në rrugë, në lokal, në punë, në shkollë, në institucione të ndryshme. Çfarë ndodh atëherë? Kur ndihesh i pambrojtur, i vetëm, i nënvlerësuar? Ligji është aty. Dhe ligji është me ty. Sipas Nenit 18 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, “Nuk dënohet ai që ka vepruar për të mbrojtur veten ose të tjerët nga një sulm i drejtpërdrejtë, i paligjshëm dhe i menjëhershëm, nëse veprimi është proporcional ndaj sulmit.” Pra, nuk është vetëm një e drejtë morale. Është një e drejtë ligjore. Nëse dikush të sulmon fizikisht apo verbalisht dhe ti reagon për të mbrojtur veten, ligji të mbron. Dhe më shumë se kaq. Nëse ti ngrihesh për të mbrojtur dikë tjetër ligji është gjithashtu me ty. Kushdo që del në mbrojtje të të pafajshmit e mbron ligji. Është me ligjin. Solidariteti nuk është rrezik. Është mbrojtje. Është qytetari. Mosveprimi është zgjedhja që i jep hapësirë dhunës të rritet. E drejta për t’u mbrojtur është më shumë se mbijetesë. Është vetë dinjiteti njerëzor. Është refuzimi për të pranuar abuzimin si normalitet. Është zëri që thotë: “Unë kam vlerë. Unë kam kufij. Unë nuk jam objekt.” Shteti nuk ndërtohet mbi frikë.Ndërtohet mbi respekt, mbi drejtësi, mbi ligjin që zbaton të njëjtën masë për të fortin dhe për të dobëtin. Sepse nëse e humbim të drejtën për t’u mbrojtur, humbim gjithçka tjetër, lirinë, sigurinë, besimin në njëri-tjetrin. E pastaj lind pyetja e frikshme. Kush na mbron kur na rreh ai që duhet të na mbrojë? Prandaj, nuk është vetëm një çështje ligji. Është një çështje shpirti. Një çështje ndërgjegjeje. Të mbrosh veten është drejtësi. Të mbrosh tjetrin është burrëri. Të heshtësh, është bashkëfajësi. Ky është momenti për të zgjedhur. Frikën apo zërin. Heshtjen apo drejtësinë. E drejta për t’u mbrojtur është e shenjtë. Le ta ushtrojmë. Le ta mbrojmë. Le ta nderojmë sepse është themeli i një shoqërie ku njeriu ka vlerë.
