Etika e humbur dhe liria e mbrapshtë.

Ndaje

Këto ditë, mediat dhe rrjetet sociale janë përfshirë nga një valë e pandalshme sharjesh, fyerjesh dhe përçmimesh. Politikanë të vjetër e të rinj, gazetarë, punonjës, qytetarë të ndryshëm të gjithë janë bërë pjesë e një “kërcënimi” të padukshëm, ku çdo mendim i ndryshëm nga masa goditet me gjuhë të egër dhe urrejtje të thellë. Është si një stuhi e zezë që përpin çdo diskutim dhe ndot atmosferën publike. Kjo gjuhë, e ngjashme me ujërat e zeza që shpërndajnë erën e rëndë dhe helmin në natyrë, është bërë shpesh e përditshmja jonë në portale, në komentet online, në rrjetet sociale. Është një vërshim mllefi dhe zemërimi që shkatërron urat e komunikimit dhe ndërpret dialogun që na bashkon si shoqëri. Por të kërkosh një qytet të pastër, të bukur dhe me kushte të mira është e pamundur nëse qytetarët që jetojnë në të nuk kultivojnë dinjitetin dhe respektin. Një qytet nuk është vetëm një hapësirë fizike; ai është reflektimi i sjelljes së njerëzve që e banojnë. Edhe rrugët më të bukura nuk do të jenë kurrë të mira nëse nuk përmbajnë njerëz që dinë të sillen me përgjegjësi dhe mirësjellje. Qytetaria është e lidhur ngushtë me edukimin dhe vetëdijen për rëndësinë e etikës në komunikim. Etika dhe sjellja e mirë nuk janë dhuratë natyrore që na vjen me lindjen, por janë vlera të mësuara dhe të kultivuara me përgjegjësi. Ato duhet të jenë baza mbi të cilën ndërtojmë çdo bisedë, çdo debat, çdo marrëdhënie mes njerëzve. Për fat të keq, sot, kjo bazë po shembet. Në vend të debatit të ndershëm, kemi sulme personale dhe sharje; në vend të argumenteve, kemi fyerje dhe poshtërime. Një mendim i ndryshëm nga ai i shumicës shpërbëhet në një det gjuhë të keqe dhe agresive. Kjo nuk është liria e shprehjes, por abuzimi më i rëndë me të drejtën për të folur. Liria nuk do të thotë të lejosh që çdo fjalë të kthehet në një armë për të goditur tjetrin, as të mbrosh vulgaritetin dhe ofendimet si “të drejta”. Ti që ke nevojë të fyesh, të sharësh, të ulëresh për çdo mendim që nuk të pëlqen, ndalohu një moment dhe mendo: çfarë po bën? A po ndihmon në krijimin e një shoqërie më të mirë apo po e shkatërron atë? A nuk kupton që fjala ka peshë, dhe se mënyra si e përdor është pasqyra e dinjitetit tënd? Mungesa e edukimit për të debatuar me respekt është ajo që po na çon në një rrugë të rrezikshme. Nuk është mungesa e lirisë së fjalës, por mungesa e etikës së komunikimit. Dhe kjo mungesë po na kushton shumë. Po përçan familjet, miqësitë, po krijon hendek mes qytetarëve dhe po zbeh besimin në institucionet tona. Prandaj, ka ardhur koha të ngremë zërin për etikën. Ka ardhur koha që secili prej nesh të marrë përgjegjësinë për fjalën që thotë dhe shkruan. Në rrjetet sociale, në media, në jetën e përditshme, secili duhet të mendojë se si fjala e tij ndikon tek tjetri. Nuk mund të kërkojmë qytete europiane, nëse sjellja jonë në hapësirë publike është e ulët dhe e dhunshme. Nuk mund të kërkojmë respekt, nëse nuk japim vetë respekt në komunikim. Dhe kjo fillon nga vetja. Nga mënyra si ne flasim dhe shkruajmë. Nga vendimi që marrim për të mos përdorur fyerje dhe sharje si armë. Nga vendimi për të mos u fshehur pas anonimitetit të ekranit për të shpërndarë mllefin dhe urrejtjen. Nisni nga vetja! Bëhu shembulli i ndryshimit që do të shohësh te të tjerët. Mendo se çdo fjalë është një hap drejt ndërtimit ose shkatërrimit të shoqërisë që duam. Liria e shprehjes është e shenjtë, por ajo nuk është e drejtë për të sharë, përçmuar dhe për të ndarë njerëzit në armiq. Është e drejtë për të folur me dinjitet dhe për të dëgjuar me respekt. Vetëm kështu, do të ndërtojmë një shoqëri ku qytetaria nuk është thjesht fjalë, por mënyrë jetese. Ku qytetet tona do të jenë jo vetëm të bukura për syrin, por edhe për shpirtin. Ku liria nuk do të jetë kurrë liri e mbrapshtë, por liri që bashkon dhe fuqizon. Është koha të zgjohemi nga kjo gjendje. Të themi “mjaft” ndaj fyerjeve dhe urrejtjes. Të fillojmë një rrugëtim të ri, ku fjalët tona bëhen ura dhe jo mure. Sepse në fund, përgjegjësia për ndryshimin është në duart tona.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit