Të gëzojmë edhe disa ditë shtëpinë e zbukuruar

Ndaje

Kur mbaron nata e Vitit të Ri, duket sikur gjithçka duhet të kthehet menjëherë në normalitet. Por shtëpia ende flet. Dritat e vogla vazhdojnë të ndriçojnë qoshet, bredhi qëndron aty në heshtje dhe zbukurimet ruajnë kujtimet e gëzimit, të buzëqeshjeve dhe të momenteve të ndara me njerëzit tanë më të dashur.  Pse të mos i lëmë edhe pak? Shtëpia e zbukuruar ka një fuqi të veçantë emocionale. Ajo na qetëson, na jep ndjesinë e ngrohtësisë dhe na kujton se, për disa ditë, kemi ditur të qeshim dhe të festojmë. Dritat e bredhit që ndizen çdo mbrëmje, janë si një premtim i vogël shprese në mes të dimrit të ftohtë. Ato na thonë se gëzimi nuk duhet të mbarojë sapo mbyllet një datë kalendar. Data 6 janar do të trokasë shumë shpejt e atëherë gjithçka fillon të mblidhet me kujdes. Çdo zbukurim vendoset në kuti, dritat mbështillen ngadalë dhe bredhi largohet nga vendi i tij. Shtëpia kthehet në thjeshtësinë e përditshme ndërsa kutitë mbyllen dhe ruhen në qoshe të errëta duke pritur. Por ato kuti nuk janë fundi i gëzimit. Ato janë një premtim. Pas 11 muajsh, do të hapen sërish, për të zbukuruar shtëpinë përsëri, për të sjellë drita, ngjyra dhe emocione të reja. Deri atëherë, ato ruajnë brenda kujtimet e këtij viti dhe shpresën për një tjetër fillim të bukur. Le ta gëzojmë edhe disa ditë shtëpinë e zbukuruar. Pa nxitim. Sepse ndonjëherë, nuk janë zbukurimet ato që duam të mbajmë pak më gjatë por ndjesia e ngrohtë që ato na lënë në zemër.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit