15 Maj, Dita Botërore e Familjes

Ndaje

Në një botë që gumëzhin nga samite, trende dhe teknologji që ndryshojnë përditë, ka një ditë në kalendar që mbetet e heshtur për shumicën. 15 Maji , Dita Botërore e Familjes. E vendosur nga Kombet e Bashkuara që në vitin 1993, kjo ditë nuk është një përkujtim simbolik, por një thirrje e fortë për të reflektuar mbi rolin qendror të familjes në shoqëri. Megjithatë, këtë vit, përveç disa titujve të lidhur me samitin global u vu re një heshtje shqetësuese nga organizatat dhe institucionet që zakonisht ngrejnë zërin për të drejtat njerëzore. A është familja më pak e rëndësishme sot? Apo kemi filluar ta marrim atë si të mirëqenë? Në një kohë kur marrëdhëniet njerëzore janë më të brishta se kurrë, kur sfidat sociale, ekonomike dhe psikologjike po e godasin strukturën familjare, heshtja nuk është neutrale ,ajo është vetë qëndrim. Familja nuk është një koncept i vjetruar që i përket një epoke romantike. Ajo është bashkësia e parë ku mësohet dashuria, respekti, ndarja, kujdesi dhe përgjegjësia. Është në gjirin e familjes ku formësohen qytetarët e së nesërmes, aty ku fëmijët e ndjeshëm bëhen të fortë dhe ku të rriturit e lodhur nga jeta gjejnë përkrahje pa kushte. Sot më shumë se kurrë, familjet përballen me presione të shumta ,emigracion, papunësi, ndarje sociale, sfida psikologjike, mungesë mbështetjeje institucionale. Shpesh ato bëhen viktima të një politike indiferente, që flet për “të drejtat” në mënyrë abstrakte, por harron realitetin konkret ku këto të drejta lindin dhe ushqehen brenda një familjeje. Nuk është çudi që në këtë 15 Maj, shumë prej organizatave që luftojnë për të drejta të barabarta, për dinjitetin njerëzor apo për zhvillim të qëndrueshëm, nuk dërguan asnjë mesazh për familjen. Familja kërkon më shumë se fjalë të bukura ,ajo kërkon politika sociale reale, mbështetje për prindërit, kujdes për fëmijët, arsim të përgjegjshëm dhe ekonomi që e forcon bashkëjetesën, jo që e detyron ndarjen për mbijetesë. Sot është koha që institucionet, shoqëria civile, mediat dhe politika të kujtojnë se s’ka zhvillim pa baza të forta morale dhe emocionale, dhe këto nuk vijnë nga konsumi apo teknologjia por nga lidhja njerëzore, nga mbështetja e ndërsjellë, nga edukimi në vlera që nisin në familje. Dita Botërore e Familjes nuk duhet të kalojë në heshtje. Ajo është një ditë për të folur, për të ngritur zërin për një strukturë që nuk ka nevojë vetëm për festë njëditore, por për mbrojtje të përditshme.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit