1 Mars, fillimi i dritës së re.

Ndaje

Ka disa data që kalojnë pa zhurmë në kalendar, por lënë një ndjesi të butë në shpirt, sikur diçka e re ka filluar pa u vënë re.
1 Marsi është një nga ato ditë që nuk vjen me bujë por me një dritë të qetë, me një premtim të vogël që ndihet në ajër, në mëngjesin pak më të ngrohtë, në qiellin që duket më i hapur dhe në mendimet që kërkojnë të fillojnë diçka nga e para. Pas muajve të ftohtë, kur ditët duken më të gjata se shpresa dhe netët mbajnë brenda lodhjen e dimrit, marsi vjen si një frymëmarrje e re. Nuk është vetëm ndryshim stine por një kujtesë e butë se gjithçka në jetë ka kohën e vet për të fjetur dhe kohën e vet për t’u zgjuar.
Ashtu si natyra që nis të gjallërohet pa zhurmë, edhe njeriu ndien brenda vetes një dëshirë të vogël për të rregulluar mendimet, për të hequr peshën e ditëve të vështira dhe për t’i dhënë vetes një fillim tjetër. 1 Marsi na mëson se nuk është e nevojshme të bëjmë ndryshime të mëdha për të ndjerë dritën.Mjafton një mendim më i qetë, një fjalë më e mirë, një vendim i vogël për të qenë më të duruar, më të butë, më të vërtetë me veten dhe me të tjerët e në këto gjëra të vogla fillon pranvera e vërtetë, ajo që nuk varet nga moti, por nga mënyra si zgjedhim të jetojmë. Por ka diçka të ëmbël në ditën e parë të marsit, sepse ajo nuk kërkon asgjë, vetëm të besosh se drita kthehet gjithmonë, edhe pas ditëve më të ftohta dhe ndoshta kjo është arsyeja pse kjo ditë ndihet kaq e veçantë, sepse na kujton se çdo fillim i ri nuk vjen me zhurmë, por me një dritë të qetë që lind brenda nesh.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit